Lajme

Jubile për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

“Dëshmorët kanë rënë për idealet dhe jo për partitë, kështu që ata i takojnë kombit, për të cilin kanë flijuar jetën”

Tridhjetëvjetori i rënies së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës dhe 28 vjetori i rënies së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës është shënuar me një mbrëmje përkujtimore të mbajtur më 21 janar në Münsingen të Bernës. Manifestimi është organizuar nën përkujdesjen e një këshilli nga aktivistësh, bashkëpunëtorë dhe njohës të dëshmorëve.

Në tubim kanë marrë pjesë dhe kanë përshëndetur edhe ambasadorët shqiptarë në Bernë e në Gjenevë: ai i Shqipërisë, Mehmet Elezi, i Kosovës, Naim Malaj, i Maqedonisë në Bernë, Ramadan Nazifi dhe ambasadori i Maqedonisë në Misionin e OKB-së në Gjenevë, Aziz Pollozhani.

Nga Kosova, në këtë manifestim kishte ardhur Basri Musmurati, ish i burgosur politik, shok dhe bashkëpunëtor i të rënëve, aktualisht zëvendësministër në Ministrinë e administratës Publike në Qeverinë e Kosovës. Ai u është drejtuar të pranishmëve me një fjalim në të cilin është përqendruar më tepër në 20 vjetorin e organizimin e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” në Gjilan e gjetiu në Kosovë. Musmurati ka evokuar rrethanat në të cilat i janë vënë themelet këtij organizimi, në kohën e ndjekjeve serbe, në fillim të 90-ave. “Ne në Gjilan kishim obligim të madh të përkujtonim heronjtë e janarit”, ka thënë ai, për faktin se disa prej tyre vinin nga ky regjion. Ndërkaq, qëllimet e themeluesve të “Flakës së Janarit” janë kujtimi i figurave të kombit, ngjallja e aktivitetit kulturor që Serbia po përpiqej ta shuante dhe, siç ka thënë folësi, që “përgatitja për një formë më radikale të rezistencës”.

Musmurati ka porositur bashkatdhetarët në mërgim që të punojnë edhe më shumë për të ndihmuar Kosovën, në veçanti duke krijuar miqësi dhe afërsi me njerëzit në vendin mik të Zvicrës.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi në fjalën e tij, veç tjerash, ka evokuar kohën kur në Shqipëri kishte ardhur të jetonte familja e Jusuf Gërvallës, me të cilën ai kishte krijuar miqësi, të mbështetur mbi vlerësimin e lartë të veprës së Jusufit. Më tutje z. Elezi ka theksuar se dëshmorët kanë rënë për idealet dhe jo për partitë, kështu që ata i takojnë kombit, për të cilin kanë flijuar jetën.

Ambasadori i Maqedonisë në Zvicër, Ramadan Nazifi ka thënë se rënia e dëshmorëve të janarit, në Kosovë, ka bërë jehonën e saj edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë. Po kështu ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë në OKB, Aziz Pollozhani, u kanë drejtuar dëshmorëve të janarit nderimin që u takon për sakrificën që kanë bërë.

Ndërsa Saime Isufi, bashkëpunëtore e Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe grua e bashkëpunëtore e Kadri Zekës, kishte përmbledhur disa kujtime nga njohja që ka pasur me Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën. Duke kujtuar rrethanat e njohjes me Rexhep Malën, ajo tregon se kjo njohje i ka dhënë asaj rastin për tu lidhur me Kadri Zekën, me të cilin do të vendosnin të bëheshin shokë të jetës… “Veprimtaria e grupit tonë si të rinj dhe pa përvojë rreth organizimit ilegal, do të binte shpejt në sy të armikut dhe UDB-a do të na fuste të gjithëve në burg. Kjo ngjarje u mor vesh në gjithë Gjilanin. Kadriu ishte interesuar të takonte anëtarët e tij të cilët do t’i fuste në radhët e një organizimi të mirëfilltë. Me Kadriun do të vepronim në një celulë deri në vitin 1978, kur ai për t’u shpëtuar kthetrave të UDB-së do të arratisej në Zvicër”.

Kur, pas tre vitesh, gjegjësisht pas demonstratave të vitit 1981 edhe ajo vetë do të detyrohej të ikte në Zvicër, adresa më e natyrshme për të do të ishte ajo e Kadri Zekës. “Erdha tek Kadriu në Zvicër. Kadriu këtu kishte krijuar një autoritet dhe simpati të papërshkruar në mesin e bashkatdhetarëve. Ata, “Zeqën” e njhnin si prijësin e tyre. Kadriun në Zvicër e njoha si ambasador të Kosovës, me punën që bëri për ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur të saj”, thotë më tutje znj. Isufi. Ndërsa për vëllezërit Gërvalla ajo thotë: “Jusufi e Bardhi do të ishin dasmorët tanë të veçantë më 2 janar 1982. Fill pas dy javësh ata do të binin në krye të detyrës, pasi bën bashkimin e organizatave”…

Duke folur pastaj për Nuhi Berishën, Saime Isufi, veçon një tipar unik të tij, guximin. “Guximi i tij ishte i pashembullt, prandaj edhe kur ishe në një aksion me të ndjeheshe i sigurt, ai nuk të linte në baltë”.

Në vazhdim të manifestimit, pati edhe disa pika artistike, gjegjësisht dy këngë me çifteli, nga Xhafer Haziri dhe Naim Selmani, një recitim poezie nga Xhezide Lumi, një poezi kushtuar Rexhep Malës nga Lulzim Latifi dhe një lexim të një fragmenti shkrimi të dëshmorit Nuhi Berisha nga Shemsie Elshani.

Ajo që binte në sy ishte zbehtësia e programit artistik, gjegjësisht niveli i ulët i asaj që u tregua, një patetizëm i tejkaluar, që nuk shkonte me pretendimet për të shënuar një jubile të tillë të rëndësishëm. Po kështu, në krahasim me vitet tjera, ka pasur një numër më të vogël të pjesëmarrësve, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta, kur dihet se ishte manifestim jubilar.

Në përmbyllje, këshilli organizativ, në shenjë vlerësimi të punës së tij gjatë këtyre tri dekadave, i ka ndarë një mirënjohje veprimtarit të vjetër Hasan Malës, të cilën ia dorëzoi veprimtari Gani Bala.

Udhëheqësi i manifestimit, Ismet Rashiti njoftoi të pranishmit se në Zvicër është formuar Shoqata Atdhetare “Pranvera 81”.

Foto galeria