Lajme

Jep dorëheqje menaxheri i “Trepçës”

Dorëheqjen e tij menaxheri i ndërmarrjes “Trepça” Ferat Shala, e ka arsyetuar me “angazhimet në punët akademike”

Menaxheri i përgjithshëm i ndërmarrjes “Trepça”, Ferat Shala, ka dhënë dorëheqje nga ky post. Në një deklaratë për media, Shala ka sqaruar se arsyet e dorëheqjes “kanë të bëjnë me “angazhimet në punët akademike”.

Ai ka thënë se do të respektojë afatin ligjor prej 30 ditësh të qëndrimit në detyrë, në mënyrë që Aagjencia Kosovare e Privatizimit të ketë kohë ta zgjedhë menaxherin e ri. Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, është një ndër subjektet më të rëndësishme komerciale në Kosovë, dhe rrjedhimisht është ndërmarrja shoqërore më e madhe dhe më komplekse në mandatin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në fund të vitit të kaluar, kjo ndërmarrje ka kaluar nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në bazë të Ligjit për Riorganizimin dhe Likuidimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë, ku bën pjesë edhe “Trepça”, duke u larguar në këtë mënyrë nga menaxhimi i rregulloreve të vjetra të UNMIK-ut.