Lajme
Janë apo nuk janë punëtorë kosovarët?
Debati për papunësinë dhe papunëtorët u nxeh pasi mediet cituan kryetarin e OEK, Safet Gërxhaliu, të ketë thënë se në Kosovë ka mungesë profesionistësh dhe se ka mjaft vende pune në dispozicion, por nuk ka punëtorë
Bizneset thonë se problemet me rekrutimin e stafit profesional dhe të motivuar në Kosovë, janë shumë më të mëdha se ato që fliten në publik. Sipas tyre, deklarata e Safet Gërxhaliut, kryetarit të OEK- ut, është më e mira që ai ka dhënë ndonjëherë. Të rinjtë në Kosovë janë të papërgatitur dhe nuk e duan punën.
Vetëm 10 vende të lira pune qëndrojnë në shpalljet e varura në hyrje të ndërtesës së Qendrës për Punë në qytetin e Ferizajt, e cila u bë e njohur vitin e kaluar për shkak të deklaratës së drejtuesit të saj se në këtë qytet ishin 570 vende të lira pune, por ato nuk po plotësohen, sepse njerëzit nuk duan të punojnë.
Ndër kriteret kryesore që kërkohen përmes këtyre shpalljeve për punëtorët, që supozohet se do të paraqiten për punë, është motivimi dhe dëshira për të punuar.
Ndërkaq, në Kosovë debati për papunësinë dhe papunëtorët u nxeh pasi mediet cituan kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, të ketë thënë se në Kosovë jemi duke u ballafaquar me mungesë profesionistësh dhe se ka mjaft vende pune në dispozicion, por nuk ka punëtorë. Tash, kryetari I OEK-ut, për revistën “Ekonomia” thotë se deklarata e tij është shkëputur nga konteksti.
Kemi mjaft biznese që kanë vende të lira pune, në mungesë të njerëzve profesionistë, apo me dëshirë për të punuar. Kjo është esenca. jo, mohimi i papunësisë në Kosovë”, thotë Gërxhaliu. Të gjithë pa përjashtim e pranojnë se kemi papunësi masive. “Askush nuk mund të thotë se nuk ka papunësi masive në Kosovë. Tjetër gjë është fakti, nëse profile të caktuara të biznesit nuk mund të gjejnë punëtorë të kualifikuar për biznesin e tyre. Kjo ndodh në gjithë botën, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës. Sipas tij, këto nevoja të biznesit janë të vogla, duke pasur parasysh se edhe vetë struktura e biznesit në Kosovë më shumë është e orientuar në tregti.
Shifrat e deformuara
Ndërkaq, në Ferizaj, dhjetë vendet e lira të punës të shpallura në Qendrën për Punë janë nëpër dyqanet e vogla, shitës kryesisht, ndërsa vetëm njëri prej tyre është premtues për kohë të gjatë, punësimi si komercialist në kompaninë Hib Petrol.
Zyrtarë të kësaj qendre thonë se deklarata për 570 vende të lira pune nga ana e ish-drejtorit të kësaj qendre, nuk qëndron dhe nuk ka qenë e saktë. Më shumë ka qenë një deklaratë mediatike, sesa pasqyrim i gjendjes reale. Megjithëse, zyrtarisht, këshilltari aktual në këtë qendër, Kujtim Kastrati dhe ushtrues detyre i drejtorit, pohon që ka pasur mjaft vende pune vitin e kaluar.
“Tani kemi 10 shpallje nga kompanitë që kërkojnë punëtorë. Vitin e kaluar kishte më shumë. Sivjet edhe biznesi i kompanive ka rënë dhe pronarët e tyre do të ishin të kënaqur nëse do të arrijnë të mbajnë numrin e punëtorëve që kanë tashmë të punësuar”, shpjegon Kastrati.
Megjithatë, ai pranon se shumica e njerëzve për t’u punësuar zgjedhin mënyra të tjera dhe jo atë përmes Qendrës për Punësim, ndaj dhe ky institucion nuk mund të ketë një informatë të saktë për njerëzit që punësohen në kompanitë e këtij qyteti, apo në sektorin publik.
“Kemi rreth 30 mijë të papunë të regjistruar, por mjaft të tjerë nuk janë të regjistruar dhe nuk kërkojnë punë përmes qendrës sonë. Në pjesën më të madhe ata që janë të shkathët gjejnë vet punë dhe nuk kalojnë përmes nesh”, thotë ai.
Në tërë vendin, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ishin 259.341 të papunë të regjistruar, ndërsa në fillim të këtij 325.261 të regjistruar. Sipas saj, tash norma e papunësisë paraqitet të jetë 35,1 për qind, e jo 44,8 për qind, sa doli nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011. Ka indikacione se kjo normë mund të ulet edhe më shumë pas disa anketave që do të bëhen me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovë.
Kjo është shifra që figuron edhe në regjistrat e qendrave të punësimit në gjithë vendin, megjithëse një pjesë e madhe e të papunëve nuk janë regjistruar asnjëherë, pasi jo vetëm te kompanitë, por as në sektorin publik vendet e lira të punës nuk plotësohen nga qendrat e të papunëve. Shifrat për papunësinë vazhdojnë të jenë pjesë e debateve të ashpra midis analistëve të ndryshëm, të cilët nuk pajtohen me metodat e llogaritjes së tyre, apo për fshehjen e numrave realë për llogari të qeverisë së Kosovës.
Askush nuk dëshiron në bujqësi
Në fakt, duket se punët më të refuzuara, me gjithë papunësinë e madhe, janë ato në bujqësi. Gjatë javës së kaluar u raportuan dy lajme për refuzim masiv të punëve bujqësore. Kompania Stone Castle, që merret me prodhimin e verërave dhe ka sipërfaqe të mëdha të vreshtave, raportoi se nuk është duke u paraqitur asnjë person për të punuar në vjeljen e rrushit. Për të kryer këtë punë, e cila është stinore dhe e lidhur ngushtë me afate kohore, kompanisë i duhen 300 persona. Por, askush nuk do të vjelë rrush. Me të njëjtin problem ballafaqohen dhe disa ferma të tjera që bëjnë mbjelljen në masë të frutave apo perimeve.
“Është e vërtetë që ka problem për të rekrutuar punëtorë për punët në bujqësi. Çdo vit e kemi këtë problem”, thotë për revistën Ekonomia, Bedri Pestova, pronar i kompanisë për kultivimin dhe përpunimin e patates. Për të siguruar lëndën e parë, atij i duhet të mbjellë sipërfaqe të mëdha me patate.
Vështirësi në gjetjen e punëtorëve ka edhe kompania “Hoti”, pronari i së cilës lavdëron kryetarin e OEK-ut për deklaratën e dhënë se në Kosovë njerëzit nuk duan të punojnë. Ai prodhon xhama dhe profile të ndryshme të dritareve në Drenas dhe ka të punësuar rreth 15 punëtorë.
“M’i gjeni 5 njerëz që duan të punojnë dhe janë të motivuar, i marr menjëherë në punë. Po ballafaqohemi çdo ditë me mungesë të motivimit të njerëzve, lënie të punës pa shkak, mosrespektim të orarit, etj”, thotë Musa Hoti, që është aksionar edhe në një fabrikë në Belgjikë.
Sipas tij, pagat nuk janë të vogla, sepse pas 3 muajsh në trajnime, pasi prodhimi i xhamave dhe profileve të dritareve është specifik, punëtorët arrijnë pagën minimale prej 400 eurosh. “Dhjetëra njerëz i kam trajnuar në Belgjikë dhe mjaft prej tyre kanë lënë punën. Thjesht, nuk duan të punojnë. Me këtë mentaliteti nuk mund të kemi zhvillim të industrisë në vend”, pohon ai, duke shtuar se punëtorët në Kosovë ndërrohen më shumë se askund tjetër.
Vlerësim të njëjtë ka edhe pronari i “Money Gram”, Ardian Zylfiu. Ai rrëfen për numër të madh të aplikacioneve që kanë shqyrtuar dhe nuk kanë hasur persona të kompletuar.
“Qindra prej tyre i kemi intervistuar drejtpërdrejt, por u mungon njohuria dhe motivimi për të punuar. Mund të kenë diploma, por kanë mungesë të njohurive, qoftë konkrete nga degët prej nga vijnë, qoftë edhe njohuri të përgjithshme. Ne cdo kohë kam të hapura vende pune për njerëz që vërtet e duan punën”, thotë Zylfiu, duke shtuar se paga minimale në kompaninë e tij është 400 euro. Sipas tij, ka edhe papërgjegjshmëripër të punuar, thuhet në artkullin e revistës “Ekonomia”, përcjellë nga OEK.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











