Lajme

Jahjaga kërkon ndihmë nga Gjykata Kushtetuese

Presidentja Atifete Jahjaga nuk e din se cilin prej liderëve ta mandatojë për qeverinë e re, Hashim Thaçin apo Ramush Haradinaj. Për këtë ajo ka kërkuar sqarim nga Kushtetuesja

Koalicioni i bllokut opozitar LDK, AAK, Nisma e ka vënë në siklet presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga se cilin nuk din se cilin prej liderëve ta mandatoj për qeverinë e re, kryeministrin në detyrë Hashim Thaçin, apo të mandatarin e bllokut, Ramush Haradinaj. Për të kërkuar sqarim, Jahjaga i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, presidentja i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të sqaruar çështje kushtetuese që ndërlidhen me përgjegjësitë e saj. Kërkesa për Gjykatën nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së vendit”, thuhet në një njoftim të Presidentes.

Vlerësimi i përputhshmërisë së neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siç thuhet, do t’i mundësojë Presidentes së vendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës.

“Presidentja konsideron se me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së dy neneve të Kushtetutës sigurohet një proces i drejt dhe kredibil, që do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit”, thuhet në kërkesën drejtuar kushtetueses.

Ndryshe, neni 84 pika 14 e Kushtetutës së Kosovës thotë se Presidentja e Kosovës e cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit. Ndërsa neni 95 është shumë më i komplikuar, sepse nuk jep detaje se kush duhet të mandatohet.

Sipas këtij Neni, pas zgjedhjeve, Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Mandatari brenda 15 ditësh duhet ta paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, thuhet në Kushtetutë. Pra në kushtetutë thuhet kandidati tjetër, e sipas ekspertëve juridik, kjo nuk e qartëson kandidatin tjetër.

Nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi thonë se PDK si parti e parë në këto zgjedhje ka të drejt dy herë mandatimin, ndërsa koalicioni i Bllokut e hedh poshtë këtë, duke besuar se këtë të drejtën e ka “Qeveria e Shpresës’ me në kryeministri Ramush Haradinajn, që ka shumicën në Kuvendin e ardhshëm.

Këto paqartësi pritet t’i zgjidhë Gjykata Kushtetuese brenda një ose dy javësh.

Ndryshe, në zgjedhjet e 8 qershorit partia e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi (PDK) ka dalë partia e parë me 30.7 për qind të votave, pasur nga LDK e Isa Mustafës me 25.7 për qind. Pas tyre kanë mbetur Vetëvendosje, AAK dhe Nisma e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

 Mirëpo këto që mbeten pas PDK-së e bën një koalicion paszgjedhor, duke e mandatar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj mandatar për kryeministër.