Shqipëri

Italianët nisin ‘të braktisin’ Shqipërinë, bien hyrjet në qershor

Derisa italianët ishin të joshur vitet e fundit nga ideja e pushimeve të lira në Shqipëri duket se llogaritë u kanë rezultuar ndryshe tek pushimet verore, përcjell albinfo.ch.

Për herë të parë që nga nisja e “bumit” të italianëve drejt vendit tonë, qershori 2025 bëri kthesë negative. Ky grup shënoi një rënie me 4 për qind në muajin e gjashtë të vitit krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Në qershor shifrat e hyrjes së të huajve sipas shteteve tregonin se ishin 111 mijë italianë që hynw nw vendin tonë. Një vit më parë kjo shifër ishte rreth 116 mijë.

Tur-operatorët vendas paralajmëruan në fund të majit se rezervimet paraprake individuale të verës përgjatë bregdetit sidomos në Vlorë dhe Sarandë ishin më të ulëta dhe këtu duket se bën pjesë edhe grupi i italianëve. Këta të fundit vendosen përgjithësisht në verë përgjatë Vlorës, Durrësit dhe Sarandës.

Rënies së rezervimeve i dha zë gjatë korrikut edhe një artikull i Corriere Della Sera që citonte agjencitë italianë për një rënie të rezervimeve drejt Shqipërisë si efekt i rritjes së çmimeve.

Sipas këtij artikulli vendi ynë ofronte një raport të mirë cilësi/çmim por tashmë ajo nuk ekziston. Njëkohësisht një qasje e re e rajonit të Puglias që është një nga më të frekuentuarat në sezonin veror ka bërë që italianët ta shohin më të leverdishëm qëndrimin në vendin e tyre pasi çmimet kanë pësuar një normalizim.

Sa i takon 6-mujorit janar-qershor. Shqipërinë e vizituan 510 mijë italianë me një rritje 5 për qind në raport me janar-qershor 2025. Italianët janë kthyer në vizitorë gjithëvjetorë të Shqipërisë në një miks mes turizmit të fundjavës, atij kulinar por sidomos atij shëndetësor që ka vite që konsolidohet për të mos folur këtu edhe për udhëtimet e biznesit.

Të gjitha këto kanë mbajtur një numër të qëndrueshëm në këtë pjesë të parë të vitit por ajo që bie në sy është ngadalësimi i rritjes. Një vit më parë rritja në 6-mujorin e parë ishte rreth 57 për qind ndërkohë që tashmë vetëm 5 për qind.

Ngadalësimi apo me keq rënia e numrit të vizitorëve nga Italia duhet të jetë një kambanë për mënyrën sesi turizmi është lënë të zhvillohet pa një orientim të saktë. Ky grup është i dyti më i rëndësishëm pas Kosovës i cili edhe ai ka pasur lëkundjet e veta në dy vitet e fundit si efekt i liberalizmit të vizave por edhe zhvlerësimit të euros. Për 6 mujorin 2025, hyrjet e shtetasve nga Italia zinin 11% të totalit dhe ata nga Kosova 34.5%.