Bota

Itali: Flet gruaja e shëruar nga koronavirusi

Ajo thotë se nuk ishte frikësuar kur e kishin diagnostikuar me koronavirus dhe se krejt kjo është ekzagjerim i panevojshëm

“Paniku ka pushtuar të gjithë vendin, por unë u shërova nga koronavirusi”

Morena Colombi, 59 vjeçe nga Trucazzano, në rajonin e Milanos, ka vendosur të flasë pas pneumonisë që i shkaktoi prekja nga Covid 19.

Gruaja zgjodhi të tregojë fytyrën e të japë intervista, pavarësisht stigmës që, siç thotë, rrethon personat e sëmurë nga koronavirusi i ri. “ Unë mendoj se një alarm kaq i madh nuk justifikohet, kjo histeri masive është e ekzagjeruar. Njerëzit duhet t’u thuhet se nëse e marrin koronavirusin, do të mbijetojnë dhe do të shërohen”, është shprehur ajo. Gruaja ishte ndier keq dhe kishte shkuar tek mjeku, që i diagnostikoi një grip të zakonshëm, përcjell albinfo.ch.

E këshilloi të merrte takipirinë dhe të pushonte, por Morena e kuptoi gjatë ditëve në vijim se diçka nuk shkonte. “Rrufa nuk po kalonte, dhe kisha një kollë të thatë që nuk ikte.
Në atë moment mendova mos është virusi i frikshëm? Sepse për shkak të punës kam edhe shumë kontakte me Azinë”, rrëfen ajo. Kishte thirrur urgjencën duke i shpjeguar simptomat, por ajo nuk erdhi, ndaj shkoi vetë në spital, ku sërish e kishin sjellë vërdallë edhe për ca kohë. Nisur nga eksperienca personale, Morena thotë se strukturat sanitare në vend nuk ishin të përgatitura për t`i bërë ballë kësaj emergjence.

“Nuk kishin dhoma të izoluara, në fillim fjeta në një barelë. Aq shumë isha lodhur sa kur më thanë që kisha koronavirusin, as nuk u tremba”, tha gruaja, që tani është më mirë.