Lajme

Investitorët e huaj ende nuk besojnë të investojnë në Kosovë

Kosova mbetet larg nga vendet e rajonit për nxitje të investimeve. Problemet juridike e politike, rangimet shumë poshtë në raportet e ndryshme ndërkombëtare, sipas mediave në Kosovës, konsiderohen disa nga problemet që vendi ynë t’ua mbushë mendjen investitorëve të interesuar.

Zyrtarët përgjegjës kanë theksuar se ky vit do të jetë më i mirë në këtë drejtim, ndërsa përfaqësuesit e biznesit kritikojnë për mungesë strategjish për investime.

Mosfunksionimi i sistemit gjyqësor po sjell probleme edhe për investitorët nga jashtë, raporton KTV. Investimet nga jashtë mbesin ende një nga sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

Zyrtarët përgjegjës për nxitje të investimeve janë optimistë se ky vit do të jetë frytdhënës për investimet nga jashtë.

Drejtori i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Valdrin Lluka, ka deklaruar se fushat ku më së shumti ka interesim për të investuar janë sektori i energjetikës, energjia alternative dhe tekstili.

Mirëpo jo për të gjithë sektorët, Lluka ka thënë se kjo agjenci është duke u angazhuar për të nxitur investimet. Kritikë të madhe në punën që po bëhet në nxitjen e investimeve e kanë shoqatat e bizneseve.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se Kosova është në krizë për shkak të mungesës së strategjisë së investimeve.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nën përgjegjësinë e së cilës është nxitja e investimeve, ka hapur tender për përzgjedhjen e një kompanie nga jashtë, që do të merret më fushën e nënkontraktimeve dhe me disa studime.

Ndërkohë ka filluar reklamimi i Kosovës në rrjetin televiziv amerikan CNN, reklamë, e cila që në fillim u përcoll me gabime.