Lajme

Investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie

Viteve të fundit në Kosovë trendi i investimeve të huaja është në rënie

Edhe gjatë këtij viti, konkretisht në gjashtëmujorin e parë, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, të quajtur „Raporti i Stabilitetit Financiar“, për periudhën janar – qershor bilanci i investimeve është zvogëluar në 37.5 milionë euro, nga 140 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Po sipas këtij raporti, në përgjithësi përkeqësimi i investimeve vlerësohet të jetë pasojë e rënies së konsiderueshme të investimeve publike, të shkaktuara nga vonesat në konsolidimin e institucioneve në vend, përderisa investimet private pritet të shënojnë rritje.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se Kosova ende nuk ka arritur t’i bindë investitorët që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Ndryshe, viteve të fundit Kosova nuk qëndron mirë sa u përket investimeve të huaja direkte. Që nga viti 2008 këto investime kanë shënuar rënie të vazhdueshme.

Ndërkaq, vitin e kaluar, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja kanë qenë 258.9 milionë euro.