Lajme
Intervistë me liderin e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti
Albin Kurti: "Sa më e fortë mërgata, aq më e fortë do të jetë vendlindja"

Lëvizja “Vetëvendosje” ka për synim t’i bashkojë qytetarët në diasporë, e jo t’i ndajë sipas preferencave partiake. Kështu e arsyeton veprimin politik të “Vetëvendosjes” në diasporë lideri i saj, Albin Kurti. Në një intervistë për albinfo.ch në Zürich, ai ka thënë mes tjerash se bashkatdhetarët në mërgatë nuk duhet të ndjehen të relaksuar, ngase çështja kombëtare shqiptare ende nuk është zgjidhur. Lideri i “Vetëvendosjes” ka folur edhe se si duhet të ndryshojë Kosova në dy vjetët në vijim për të mos dështuar si shtet. Kurti po ashtu ka treguar pse nuk kanë marrë pjesë në përurimin e autostradës së kombit.
Albinfo.ch: „Vetëvendosje“ po aktivizohet në Zvicër në kohën kur subjektet e tjera politike të Kosovës në diasporë janë në shuarje e sipër, kurse potenciali i bashkatdhetarëve ka filluar të kanalizohet në jetën e këtushme. A mendoni se mund të krijoni sërish ndasi në mesin e mërgatës, siç kanë vepruar deri tash subjektet e tjera politike?
Albin Kurti: Ne mendojmë se ekziston një shpërputhje në mes kontributit që ka dhënë mërgata me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës, në jetën politike dhe në vendimmarrje në përgjithësi në Kosovë. Ne mendojmë që mërgata duhet të angazhohet si për çështjet politike në Kosovë dhe çështjen shqiptare në Ballkan në përgjithësi, njëkohësisht të organizohet edhe aty ku jeton dhe vepron, në mënyrë që ta përmirësojë edhe jetën e vet aktuale kudo që është. Gjithashtu mendojmë se duhet të krijohen lehtësi taksative, administrative dhe bankare për investimet e diasporës. Ndërsa, sa i përket të drejtave, e drejta e riatdhesimit dhe e shtetësisë së dyfishtë dhe, sidomos e drejta e votës pa pengesa dhe vështirësi. Kjo nuk është ndonjë garë politike, por ka të bëjë me programin politik të “Vetëvendosjes” që e trajton në mënyrë të pandashme të kombit dhe popullit tonë edhe mërgatën.
Albinfo.ch: Mërgata ka një përvojë tjetër me funksionimin e partive politike të Kosovës?
Albin Kurti: “Vetëvendosje” nuk është parti, por është lëvizje, e cila synon t‘i bashkojë të gjithë qytetarët për interesin tonë të përgjithshëm dhe qëllimin e përbashkët, që është në njërën anë shteti sovran me integritet territorial të Republikës së Kosovës, me të drejtë për t‘u bashkuar me Shqipërinë në kuadër të përpjekjeve tona të vazhdueshme për bashkim kombëtar shqiptar. Dhe, njërën anë të bëhet një shtet universal solidar që iu ndihmon të gjithë atyre që kanë më se shumti nevojë. Pra, për një shtet që është edhe i mirëqenies dhe i zhvillimit ekonomik. Pra, ky është qëllimi ynë, ne përpiqemi t’i bashkojmë qytetarët rreth kësaj, dhe jo t’i ndajmë sipas preferencave të tyre të veçanta partiake.
Albinfo.ch: A e njeh „Vetëvendosje“ mentalitetin e mërgatës, ku duhet të jetë më aktive?
Albin Kurti: Bashkatdhetarët tonë kudo në Evropën Perëndimore, por edhe më gjerë është e domosdoshme që të aktivizohen më shumë si për situatën në Kosovë, por edhe për gjendjen e tyre kudo që janë. Ngase as në vitin 1999, kur u larguan forcat serbe nga Kosova, e as në vitin 2008, kur u shpall Pavarësia e Kosovës nuk ka përfunduar asgjë sa i përket çështjes kombëtare shqiptare, që vazhdon të jetë e pazgjidhur. Njëkohësisht, edhe mirëqenia e shqiptarëve qoftë në Kosovë, Shqipëri, Kosovë Lindore, Iliridë, Çamëri, Mal të Zi, por edhe në Evropën Perëndimore nuk është se jetojnë me standarde të duhura dhe se bëjnë jetë të dinjitetshme në plotkuptimin e fjalës. Prandaj, edhe në aspektin soci-ekonomik ata duhet të angazhoheshin më shumë dhe të mos ndodhë një lloj relaksimi dhe demobilizimi vetëm se u shpall pavarësia në vitin 2008. Politikanët, pushteti ka më së shumti përgjegjësi dhe më së shumti faj për dështimet dhe ngecjet, por mendoj se çdo qytetar shqiptar ka gjithashtu përgjegjësi të ndryshojë këtë gjendje në përputhje me vullnetin dhe interesat e tyre.
Albinfo.ch: Sa është e organizuar mërgata. A jeni në dijeni për Kuvendin e Shqiptarëve të Zvicrës që ka marrë mandatin e një lobi shqiptar të diasporës së këtushme karshi vendit pritës dhe vendeve të origjinës?
Albin Kurti: Unë informohem më shumë nëpërmjet qendrës së Vetëvendosjes që është këtu në Zvicër edhe pikave të saj në Zürich, Arau, Llozanë dhe Gjenevë. Dhe, duke qenë se shqiptarët në Zvicër kanë një koncentrim më të madh dhe duke qenë se janë nga të gjitha trevat shqiptare, po ashtu duke marrë parasysh se Zvicra ka njohur nga shtetet e para pavarësinë e Kosovës dhe e praktikon referendumin si demokraci të drejtpërdrejtë, mund të mësojmë gjithçka që ka vend për më shumë angazhim dhe aktivitet.
Albinfo.ch: Konkretisht, a i duhen mërgatës partitë politike nga Kosova dhe a duhet të ndikohet nga politika e vendeve të prejardhjes?
Albin Kurti: Çdo qytetar duhet të jetë i politizuar në kuptimin se çdo qytetar duhet të merret me politikë, sepse politika ka të bëjë kryesisht me qytetarin. Mirëpo, është një çështje tjetër partizimi i qytetarëve për interesa të ngushta të liderëve, kjo është e papranueshme.
Albinfo.ch: A mund të thuhet se zhvillimet politike në Kosovë dhe në Shqipëri kanë penguar integrimin dhe përfshirjen e mërgatës në jetën politike të këtushme?
Albin Kurti: Shtetet shqiptare i kanë shumë borxh mërgatës shqiptare dhe duhet ta inkurajojë dhe ta orientojë që ta përmirësojë pozitën e vet, sepse sa më e fortë që të jetë mërgata jonë, aq më të fortë do të jenë edhe shqiptarët në përgjithësi, njësoj sikur të jenë më të forta Shqipëria dhe Kosova, aq më e fortë do të jetë mërgata jonë. U takon shqiptarëve që të bëjnë përzgjedhje të hollësishme, mirëpo ata duhet ta ruajnë të përbashkëtën e tyre që është se ne i përkasim një kombi.
Albinfo.ch: Keni thënë se Kosova nuk është ende njëmend shtet dhe se bashkatdhetarët tanë duhet të na mësojnë se si funksionojnë shtetet normale në Evropë. Çka sipas “Vetëvendosjes” po funksionon mirë atje?
Albin Kurti: Në Kosovë kishim një hap para me shpalljen e pavarësisë, mirëpo nuk u pasua me hapa të tjerë. Dhe, shumica e lajmeve të mira që vijnë nga Kosova janë si rezultat i shoqërisë edhe i qytetarëve të mirë të Kosovës, e jo i pushtetit dhe partive në pushtet. Unë mendoj se Kosova është një shtet i dobët, i cili ose duhet të forcohet në këto dy vjetët në vijim, pra më 2011, 2012, ose rrezikon të bëhet shtet i dështuar. Me këtë dialogun që po bëhet me shtetin e Serbisë po rritet varësia me Serbinë dhe po rritet varësia e serbëve të Kosovës me Serbinë. Mendoj se me këtë dialog nuk mund ta fitojmë sovranitetin. Ndërsa pushteti në Kosovë sot më së shumti identifikohet me dialogun që po bën me Serbinë dhe privatizimin e egër dhe abuziv. Prandaj, për gjërat kapitale nuk mund të shënoja ndonjë të arritur si një gjë të mirë.
Albinfo.ch: A nuk mund të quhet e arritur autostrada e kombit, në përurimin e së cilës ju nuk keni marrë pjesë si “Vetëvendosje”?
Albin Kurti: Ne nuk kemi shkuar në përurimin e autostradës, ngase nuk duam të bëhemi pjesë e legjitimimit të një vjedhje enorme për buxhetin e Kosovës. Ne kemi nevojë për Rrugën e Kombit, por jemi kategorikisht kundër vjedhjes në emër të popullit. Çmimi i autostradës është dy herë e gjysmë më i shtrenjtë se sa çmimi sipas tregut. Na kanë thënë me ekonominë e tregut të lirë, atëherë t’i përmbahemi çmimeve të tregut, por zhavorri po kushton dyfish e gjysmë më shtrenjtë. Mund t’i ndërtoni një përmendore dëshmorit të kombit, por nëse e vjedh tokën ku e ndërton, mermerin, punën e mjeshtrit, atëherë nuk bëhet fjalë më për dëshmorin, sepse korruptohen qëndrimet, motivet dhe bëhet fjalë për korrupsion.
E-Diaspora
-
Foto
Dita e dytë e Alba Festivalit Sot është dita e dytë e Alba Festivalit, ku pritet një atmosferë e zjarrtë ...
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?