Futboll

Interi futet fuqishëm në garë për Granit Xhakën

E ardhmja e Granit Xhakës është bërë edhe më e pasigurt pas një zhvillimi të ri në merkaton e verës. Sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, skuadra e Interit është rikthyer fuqishëm në garë për të transferuar kapitenin e Zvicrës, që aktualisht është pjesë e Bayer Leverkusenit, raporton albinfo.ch.

Kërkesa për transferimin e Xhakës vjen drejtpërdrejt nga trajneri i ri i Interit, Cristian Chivu, i cili e sheh 32-vjeçarin si partnerin ideal për Nicolo Barellan në qendër të mesfushës, veçanërisht për aspektin mbrojtës të lojës.

Xhaka ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028 dhe është një nga lojtarët kyç të skuadrës gjermane, por mediat italiane raportojnë se largimi i tij gjatë këtij afati kalimtar veror nuk përjashtohet, sidomos nëse Interi vjen me një ofertë të konsiderueshme.

Për Xhakën ka pasur interesim të vazhdueshëm edhe nga skuadra rivale e qytetit, Milani, që prej javësh ka tentuar të sigurojë firmën e tij. Në garë është përfshirë gjithashtu edhe Sunderlandi, skuadër që këtë sezon është rikthyer në Premier League dhe po kërkon përforcime me përvojë për të qëndruar në elitë.

Nga ana tjetër, pati raportime se edhe klubi saudit Neom SC ishte i interesuar për të, por sipas burimeve, ata hoqën dorë për shkak të kërkesës së lartë për dëmshpërblim nga Leverkuseni, raporton albinfo.ch.