Lajme

Interesim i austriakëve për investime në Kosovë

Zëvendësministrja Gierlinger njoftoi se sot qeveria e Austrisë ka aprovuar Marrëveshjen për Mbrojtje të Investimeve me Kosovën

 

Sot, Zv. kryeministrja/ ministrja e Tregtisë dhe industrisë Mimoza Kusari Lila, mori pjesë në konferencën e Bankës Botërore për lançimin e raportit “Doing Business 2011” për Europën Juglindore në Vjenë, ku prezantoi synimet e qeverisë së Kosovës, bëhet me dije në një komunikatë për shtyp, të ministrisë.

 

Në fjalimin e rastit ajo tha se: ‘Qeveria e Kosovës për tri vitet e ardhshme parashikon një reformë të thellë dhe të plotë mbi pesë fusha me rëndësi jetike të zhvillimit ekonomik.

 

Zv. kryeministrja Kusari Lila po ashtu informoi të pranishmit për miratimin e dy ligjeve në Kuvendin e Kosovës të cilat shkurtojnë kohëzgjatjen e hapjes së biznesit për rreth 80%.

 

Në këtë konferencë Zv. kryeministrja/ ministrja e MTI-së Kusari Lila u takua me drejtorin e Global Indicators and Analysis të World Bank Group, z. Augusto Lopez Claros, person kyç ky për rangimin në raportin e ‘Doing Business’.

 

Gjatë takimit u fol për reformat, që po ndërmirren në Kosovë për të cilat z. Claros i mirëpriti shumë duke e përgëzuar znj. Kusari Lila për punën e shkëlqyeshme dhe për fjalimin inspirues. Ata po ashtu folën për një proces sa më të mirë të reformimit duke shkëmbyer praktika nga shtetet të tjera.

Ministrja Kusari Lila, u takua po ashtu me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore në Vienë z. Ivan Nimac i cili i premtoi ministres së MTI-së ndihmë nga Austria përmes ADA-së.

 

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte edhe ai me zëvendësministren e Ekonomisë, Familjes dhe Rinisë znj. Bernadette Marianne Gierlinger, gjatë të cilit Zv. Kryeministrja Kusari Lila e informoi për reformat, që po i ndërmerr Kosova në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes dhe e inkurajoi për një bashkëpunim akoma më të madh për tërheqjen e investitorëve austriakë në Kosovë.

 

Zëvendësministrja Gierlinger njoftoi Zv. Kryeministren Kusari Lila, se sot qeveria e Austrisë ka aprovuar Marrëveshjen për Mbrojtje të Investimeve me Kosovën.Znj. Gierlinger e rikonifrmoi që ADA ka prioritet kryesor Kosovën dhe ka projekte të reja të cilat do të implementohen shumë shpejtë në Kosovë. Ajo tregoi që Austria është një model ku 99.7% e kompanive janë NVM, kompani për të cilat Kosova si treg zgjon interes për shkak të afërsisë që ka.

 

Në takim po ashtu u bisedua për potencialin e madh që ka Kosova në sektorin e agrikulturës dhe mundësinë për tërheqje të investimeve dhe donacioneve nga Austria në këtë fushë. Austria ka Agjension të posaçëm që merret me agrikulturën dhe zv.ministrja Ekonomisë, Familjes dhe Rinisë e Austrisë, propozoi që të sjellin tek ne disa ekspertë nga ky agjension për të përmirësuar gjendjen e këtij sektori në Kosovë.

 

Po shtu u bisedua për investimet në sektorin e energjise, telekomunikacionit si dhe menaxhimit të mbeturinave. Së fundi u bisedua për shkëmbim përvojash mes të dy shteteve për të promovuar më mirë turizmin malor që ofron Kosova. Znj. Kusari Lila vuri në pah potencialin e madh që ka Kosova në këtë fushë, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.