Zhvillim

Inaugurohet autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Kosovë, Isa Mustafa Linja tha se interkoneksioni 400 kV, Kosovë-Shqipëri ka rëndësi të veçantë për të dy vendet

Pas ndërtimit të autostradës “Rrugës së Kombit” që lidh Shqipërinë dhe Kosovën me rrugë moderne, sot është lëshuar edhe një autostradë tjetër që lidhë dy shtetet, ajo Energjetikë, e njohur si interkonjeksioni 400 kilovoltësh. Kjo linjë konsiderohet tepër e rëndësishme për shkëmbimin energjetik. Bashkë me projektin interkonjuktiv është përfunduar edhe projekti tjetër: Rregullimi Sekondar Frekuencë/Fuqi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka vlerësuar rëndësinë e madhe që kanë për Kosovën këto zhvillime, të cilat do të përmirësojnë sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe do të krijojnë lidhje të veçantë ndërmjet dy vendeve dhe me BE-në. “Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve  në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi”, tha ai.

Kosova dhe Shqipëria tashmë, sipas kryeministrit, kanë marrë obligimet por edhe po krijojnë kushtet për fuqizimin dhe furnizimin e sistemit me energji elektrike, “po krijojnë kushte për standard më të lartë dhe arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara, si të prodhimit, transmisionit dhe shpërndarjes tek konsumatori”.

Kryeministri Mustafa theksoi se linja e interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri, është një mundësi me shumë përparësi për të dy vendet, duke u bazuar në diversitetin e resurseve energjetike, që janë kompatibile për t’u arritur një nivel më i lartë i rendimentit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të këmbimit të energjisë elektrike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përgëzuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në kuadër të këtij projekti për ta bërë të mundur realizimin e tij. Kosova dhe Shqipëria, sipas tij, po bëjnë hapa progresiv dhe po japin një shembull për shtetet tjera të rajonit lidhur me avancimin e agjendës së Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, po ashtu, ka vlerësuar lartë rëndësinë që ka kjo ngjarje për të dy sistemet energjetike, duke pas parasysh edhe zhvillimet e mëtejshme dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i marrëveshjes midis të dy qeverive.

Ndryshe, linja 400 kilovotëshe e Kosovë, i ka kushtuar Qeverisë në Prishtinë 33. 5 milionë euro. Kosova e prodhon energjinë me thëngjill, ndërsa në Shqipëri me hidrosistem.