Kosova

IKSHPK: Në Kosovë po shtohen sëmundjet kronike, hipertensioni mbetet më i përhapuri

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se sëmundjet kronike jo-ngjitëse vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend. Sipas raportit për vitet 2023 dhe 2024, është vërejtur një rritje e përgjithshme e rasteve të këtyre sëmundjeve.

Hipertensioni vazhdon të jetë diagnoza më e zakonshme, duke përbërë mbi gjysmën e rasteve të raportuara. Numri i pacientëve është rritur nga 20,472 në vitin 2023 në 21,425 në vitin 2024. Kjo sëmundje shfaqet më shpesh te personat mbi 50 vjeç, sidomos në grupmoshën 65–69 vjeç. Edhe pse më e përhapur te femrat, meshkujt janë më të rrezikuar nga komplikimet serioze të zemrës.

Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe diabeti tip 2, i cili është rritur nga 9,723 raste në 11,729, duke u konsideruar një nga sfidat kryesore të shëndetit publik. Në të kundërt, diabeti tip 1 ka pësuar ulje. Sipas IKSHPK-së, faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e diabetit janë obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme.

Sa i përket sëmundjeve të zemrës, është vërejtur rritje e rasteve të infarktit të miokardit, ndërsa disa forma të tjera si angina pectoris kanë shënuar rënie. Këto ndryshime mund të lidhen edhe me mënyrën e raportimit të sëmundjeve.

Ndërkohë, rastet e sëmundjeve malinje kanë shënuar një ulje të lehtë në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, ato mbeten një problem serioz për shëndetin publik. Kanceri i gjirit vazhdon të jetë më i përhapuri te gratë, ndërsa te burrat dominojnë kanceri i lëkurës dhe ai kolorektal.