Lajme

ICG u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë: mos e humbni rastin!

Beogradi dhe Prishtina duhet të shfrytëzojnë dialogun për transformimin e strukturave ekzistuese në veri të Kosovës, thotë Sabine Freizer, drejtoreshë për Evropën në ICG

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) iu ka bërë thirrje dy palëve në negociata, Prishtinës dhe Beogradit, që të merren vesh për çështjen e veriut, dhe në këtë mënyrë, të mos e lëshojnë mundësinë ideale për integrim të përbashkët në Bashkimin Evropian.

Në raportin e fundit publikuar të martën, ICG thotë se mundësia për t’u marrë vesh është shumë afër, duke marrë parasysh disa marrëveshje teknike që janë realizuar në Bruksel në bisedimet e lehtësuara nga BE dhe SHBA.

“Liderët e të dy shteteve duken më të gatshëm për kompromiset, por serbët e veriut të Kosovës po refuzojnë integrimin dhe po rritet dhuna e nivelit të ulët, nacionalistët kosovarë janë të tensionuar dhe një shkëndijë mund të nxisë luftimet ndërmjet komuniteteve”, thuhet në raport.

ICG u bën thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të shfrytëzojnë këtë rast për t’u angazhuar në diskutimet substanciale në transformimin e strukturave ekzistuese në veri dhe të ofrojnë një rajon vetëqeverisës, që i përshtatet juridiksionit të Kosovës, të bazuar në planin e Ahtisarit.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u angazhuar në një diskutim të konsiderueshme në transformimin e strukturave ekzistuese në veri të Kosovës”, thotë Sabine Freizer, drejtoreshë për Evropën në Grupin Ndërkombëtarë të Krizave.

“Ecja do të jetë e vështirë, por fazat e hershme të bisedimeve dhe zhvillimet e fundit japin shpresë se një normalitet i ri po ngrihet ngadalë në mes të dy fqinjëve”, ka thënë ajo. Megjithatë, në raport thuhet se të dy vendet ende kanë mospajtime të mëdha.

Prishtina, sipas ICG-së, synon që të fitojë pëlqimin e serbëve për planin e Ahtisarit, ndërsa Beogradi synon rishikimin e marrëveshjeve, që shihen si të papranueshme, në këtë rast edhe vetë planin Ahtisaari.

Transformimi i strukturave veriore në trupa vetëqeverisës që përshtaten me juridiksionin e Kosovës, sipas ICG-së, do të hapte rrugë për t’i ofruar veriut një aranzhim special si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme.

“Shumë më tepër mund të arrihet duke e pranuar aplikimin fleksibil të planit Ahtisaari sa i përket policisë, gjykatave dhe qeverisë rajonale”, thuhet në raport.

Por, ICG nënvizon se një nga parimet bazë duhet të jetë ai i mosprekjes së kufijve të Kosovës, dhe që veriu të qeveriset, duke mos e dëmtuar integritetin territorial të Kosovës.

Prishtina gjithashtu dëshiron që statusi i saj si shtet i pavarur të afirmohet, të cilën gjë aktualisht Beogradi po e refuzon fuqishëm.

“Megjithatë, edhe këtu ka hapësirë për kompromis, me heqjen e bllokadës që Serbia po ia vendos anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare dhe lejimin e pjesëmarrjes së saj në ngjarjet sportive dhe kulturore ndërkombëtare. Këto janë çështje komplekse dhe shumë emotive, por që mund të zgjidhen duke punuar gradualisht në kuadër të proceseve integruese të të dy vendeve”, thekson grupi.

“Dialogu është tani në një pikë vendimtare. Pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës në veri të Kosovës nuk kanë qenë kurrë më afër”, thotë Marko Prelec, drejtor për Ballkanin i Grupit të Krizave Project, sipas të cilit, në nivel të ulët, dhuna në veri është në rritje dhe mund të përkeqësohet nëse humbet mundësia për progres.