Lajme

Ibrahim Gashi zgjidhet rektor i UP-së

Gashi, profesori i fakultetit Filozofik thuhet se i ka pasur performancat më të mira në krahasim me katër kandidatë tjerë

Këshilli Drejtues i Universiteti të Prishtinës, pa asnjë vote kundër e ka zgjedhur të hënën, Ibrahim Gashin rektor të ri të Universitetit të Prishtinës. Gashi, sipas KD ka qenë kandidati më I mirë në mesin e pesë kandidatëve sa kanë konkurruar për këtë pozitë. Gashi, profesori i fakultetit Filozofik thuhet se i ka pasur performancat më të mira, në mesin e kandidatëve të tjerë. Në garën për të zëvendësuar Mujë Rugovën në postin e rektorit kanë edhe: Isa Elezaj, Naser Zabeli, Berim Ramosaj dhe Abdullah Zejnullahu. Rektori i ri e merr mandatin nga 1 tetori, kur edhe fillon viti i ri akademik. Ai ka ardhur në krye të UP-së pas një marrëveshjeje politike ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli për ndarjen e koalicionit qeverisës. Ibrahim Gashi deri dy muaj më parë ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa menjëherë pas shpalljes së konkursit për rektor, dha dorëheqje.