Lajme

I jepet fund mbikëqyrjes së pavarësisë

Thaçi ftoi përfaqësuesit e GDN-së që të vijnë në Prishtinë për të festuar fundin e mbikëqyrjes dhe fillimin e një epoke të re të Kosovës

 

 Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND), në takimin e Vjenës ka marrë vendim që t’i japë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, që nga shtatori i këtij viti, pushon aktivitetin  edhe Zyra Civile Ndërkombëtare ndërsa “gardiani” i planit të Ahtisarit, holandezi Pieter Feith shkon në “pension”.

Nikoqiri i takimit të Vjenës, ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger ka thënë se vendimi i të hënës paraqet një ditë historike për Kosovën.  Ai, siç raporton REL, ka shprehur kënaqësinë e tij se Vjena është vendi ku u hartua dhe aprovua Plani i Ahtisarit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe po në këtë qytet tash po vendoset fundi i mbikëqyrjes së kësaj pavarësie.

“Ne e dimë se Kosova do të ballafaqohet me shumë sfida dhe do të duhet të kryejë shumë detyra të shtëpisë, por e dimë po ashtu se ka bërë një punë të mrekullueshme këto vitet e fundit”, ka thënë ministri austriak, duke shpresuar se Kosova një ditë do të jetë pjesë e strukturave të integruara të Evropës.

Ndërsa, shefi i ICO-së, Piter Feith ka thënë se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit, ndërsa ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore- kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendase.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi falënderoi të gjitha shtetet që kanë ndihmuar në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Pas ndihmës së madhe që kanë dhënë shtetet e BE-së dhe SHBA-të, Kosova siç tha Thaçi, ka arritur në një stad, duke plotësuar kushtet e parashikuara në Planin e Ahtisarit për të dalë nga ombrella e mbikëqyrjes.

“Menjëherë pas takimit të fundit të GND në janar, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Parlamenti unanimisht kanë miratuar rezolutën që shpreh përkushtimin tonë për të përfunduar detyrat e mbetura, të identifikuara në takimin e Vjenës”, ka thënë Thaçi, sipas të cilit, Institucionet e Kosovës kanë vazhduar të konsolidohen sipas planit të paraparë dhe si rezultat tani janë të gatshme për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë shtetërore.

“Në vazhdën e pjekurisë institucionale, Komisioni për reformën zgjedhore të zgjedhjes së presidentit dhe Komisioni për reformën e zgjedhjeve të përgjithshme kanë vazhduar ritmin intensiv të punës së tyre”, ka njoftuar Thaçi anëtarët e GND-së.

Po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës, sipas kryeministrit, e ka miratuar legjislacionin i cili reformon procedurat e ndërtimit, taksave, si dhe ndërmarrjeve publike, si dhe ka miratuar legjislacionin mbi trashëgiminë fetare dhe kulturore. “Këto reforma kyçe kanë forcuar edhe më tutje parimet e decentralizimit, mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, si dhe masat mbrojtëse për minoritetet” tha ai.

Gjithashtu kryeministri kosovar njoftoi GND lidhur me infrastrukturën ligjore që ënjtë krijuar për përmbylljen e mbikëqyrjes. “Kuvendi ka amendamenttuar 21 ligje të ndërlidhura me përfundimin e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur”, tha më tej Thaçi.

Kryeministri në fjalimin e tij, të cilin Kryeministra ua ka shpërndarë të gjitha mediave në Prishtinë, ka dhënë një rezyme për zhvillimet në Kosovë në të gjitha segmentet e shtetit, nga policia, gjyqësia, zhvillimi ekonomik, marrëdhëniet ndëretnike, fqinjësore etj. Me theks të veçantë ai është angazhuar për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndërsa sa i përket bisedimeve me Serbinë, Thaçi ka thënë se ato kanë mbetur pa zbatuar për shkak të palës serbe.

 “Prandaj, ju bëj thirrje që të vazhdoni presionin e juaj ndaj Serbisë në këtë proces dhe që marrëveshjet e arritura të implementohen nga ana e Serbisë. Kushtëzimet e Bashkimit Evropian dhe ndikimi duhet të vazhdojë që Serbia të implementojë marrëveshjet e arritura në dialog, por gjithashtu që të tërheq institucionet e saj paralele, sidomos ato të MPB-së dhe BIA-s”, tha ai.

Kryeministri kosovar i ftoi përfaqësuesit e GDN-së që të marrin pjesë në Prishtinë, në takimin përmbyllës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, “që të festojmë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe fillimin e një epoke të re të partneritetit të vërtetë me bashkësinë ndërkombëtare”.

Në Grupin Ndërkombëtar Drejtues bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën si dhe Turqia. Ky grup në vijimësi ka përcjellë angazhimet institucionale të Kosovës në përmbushjen e pikave të planit të Ahtisarit. E vetmja pikë që ka mbetur e hapur në këtë pako edhe pas mbikëqyrjes, është mos-formimi i komunës së Mitrovicës së veriu.