Lajme

I dyshuari për vrasjen e policëve të UNMIK-ut, ekstradohet nga Gjermania në Kosovë

I ekstraduari nga Gjermania, bashkë me dy qytetarë të tjerë, të arrestuar dje në Podujevë, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Prokuroria kërkon nga 30 ditë paraburgim për të arrestuarit

I arrestuar javën e kaluar në Gjermani, F. Shaqiri është ekstraduar në Kosovë nga autoritetet gjermane, ndërsa sot bashkë dy qytetarë të tjerë, të arrestuar dje në Podujevë, B.Kiqmari dhe A.Dizdari kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ata janë arrestuar nën dyshimin për vrasjen e dy pjesëtarëve të UNMIK-ut, në vitin 2004.

Ekstradimin në Kosovë të Shaqirit e ka konfirmuar të enjten për Express zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikolic-Solomon. “Po, mund ta konfirmoj se Shaqiri është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë.  Momentalisht, ai ndodhet në paraburgim”, ka treguar Nikolic.

Ndaj të arrestuarve, Prokurori i Prokurorisë Speciale ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Këta të arrestuar, konsiderohen si “viktimat” e para nga Gjykata Speciale, edhe pse nuk dihet saktë nëse ka të bëj me këtë gjykatë. Aktualisht gjithçka ka mbetur nëpër mjegull, pasi disa nga ata që janë dyshuar për vrasjen e policëve të UNIMUK-ut janë akuzuar edhe për disa vrasje të pasluftës. I dyshuari kryesor, A. Sylejmani është vrarë në të njëjtin aksion.