E-Diaspora

Humbje e thellë e prishtinaseve në Bazel

KH "Prishtina" në ndeshjen për Kupën Evropiane të luajtur në Bazel, ka humbur me rezultat 50 : 25 nga SG Basel Regio

„Me rëndësi është pjesëmarrja“. Mbase ky është formulimi i vetëm që mund të përdorin si ngushëllim hendbollistet e Prishtinës për humbjen e thellë, 50 : 25 që pësuan të dielën nga SG Basel Regio, në Bazel.

Një publik prej rreth 500 shikuesish, në mesin e të cilëve më të zëshëm ishin fansat e kosovareve ka shikuar një ndeshje interesante por në të cilën në asnjë moment nuk vihej në dyshim se cila palë është superiore.

Tri hendbolliste të Bazelit kanë shënuar nga 10 e më shumë gola. Ato janë Sarah Baumgartner, Aline Mathys dhe Seraina Hochstrasser, diçka që, siç e thotë Baumgartner për Basellandschaftliche Zeitung nuk i kishte ndodhur asnjëherë, as si juniore.

Duhet thënë se skuadra zvicerane ka kaluar një periudhë me shqetësime kohëve të fundit. Por dy javët që kaluan hendbollistet kanë punuar shumë që të kthejnë formën. Fundja, ishte rasti i parë pas njëzet vitesh që klubi po merrte pjesë në një ndeshje të Kupës Evropiane.  

Skuadra është e vetëdijshme se në lojën e kthimit, në Prishtinë, i pret një punë e vështirë. Por lojtaret shpresojnë megjithatë të fitojnë, shkruan portali i përmendur.  

Ndërkaq për prishtinaset ishte kjo ndeshja e parë ndërkombëtare për kupë dhe testi i parë që sigurisht do t`u shërbejë për tu përgatitur më mirë për ndeshjet në vijim.