Lajme
Hoxhaj: Asnjë ambasador nuk do të shkarkohet
Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj flet për marrëdhëniet me Zvicrën, për rokadën e ambasadorëve, për “kthimin e trurit”, “elitën globale” etj.
Në fund të javës së kaluar, ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pati një vizitë zyrtare në Zvicër. Nënshkrimi një marrëveshjeje ndërshtetërore me homologen e tij, Micheline Calmy Rey dhe pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së “Çmimit Diaspora” po kësaj ministreje dhe presidente e Zvicrës, bënin pjesë në agjendën e vizitës së tij.
albinfo.ch: Z. Hoxhaj, ju sapo keni zhvilluar një vizitë zyrtare në Zvicër dhe jeni pritur nga niveli më i lartë i shtetit. Në çfarë niveli janë aktualisht marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Zvicrës?
Enver Hoxhaj: Marrëdhëniet në mes dy vendeve tona janë të shkëlqyeshme dhe atyre u paraprin një histori e gjatë. Zvicra është ndër vendet që ka pranuar një numër të madh qytetarësh nga Kosova, të cilët para më se dyzet vitesh për shkaqe qoftë politike qoftë ekonomike, të punësimit, patën migruar në këtë vend dhe ka kohë që janë integruar në shoqërinë zvicerane. Por, edhe gjatë kohës së krizës së rëndë politike të Kosovës, gjatë luftës dhe pas saj, shumë qytetarë tanë kanë gjetur në Zvicër vendin e strehimit. Veç kësaj Zvicra është vend i cili politikisht ka mbështetur lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ajo është ndër vendet që më së shumti kanë investuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës si një vend të lirë, duke filluar nga viti 1999. Pastaj, siç dihet, presidentja e këtij vendi është e para që ka mbështetur publikisht e zyrtarisht që në vitin 2005 pavarësinë e Kosovës si zgjidhjen më të mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu Zvicra është ndër vendet, të cilat që në muajin e parë të shpalljes, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Prandaj, kjo histori e marrëdhënieve tona dhe ky aktualitet i tyre, bën që marrëdhëniet tona të jenë në nivelin më të lartë.
albinfo.ch: Vizitat e deritashme të ministrave kosovarë në Zvicër, sikur kanë lënë një konfuzion: Si Ministria e Arsimit, ashtu edhe ajo e diasporës tregojnë pretendime për mërgatën. Po kështu edhe Ministria e Jashtme – për aq sa shihet në portalin e saj – e ka mërgatën ndër prioritetet e saj. Prandaj, cila është puna e ministrisë suaj sa i përket diasporës, pas themelimit të Ministrisë së diasporës?
Enver Hoxhaj: Padyshim se me themelimin e Ministrisë së Diasporës – ministri të tillë kanë fare pak vende në botë – Qeveria e Kosovës ka pasqyruar edhe fuqinë edhe peshën edhe misionin që ka pasur diaspora në shtetndërtimin e Kosovës. Nuk mund të imagjinohet as liria, as pavarësia e as shtetndërtimi i Kosovës pa kontributin që ka dhënë diaspora shqiptare në botë e Evropë dhe veçanërisht në Zvicër.
Mbi të gjitha, Qeveria e Kosovës synon që kjo ministri ta ketë një rol të fuqishëm koordinues për investimet e diasporës në Kosovë, që diaspora të lidhet sa më shumë me Kosovën në rrafshin ekonomik, në atë tregtar e kulturor. Në të njëjtën kohë, që diaspora të mbështetet në proceset integruese në shtetet ku jeton. Shkurt, që nga themelimi i kësaj ministrie, adresa e parë për çështje të diasporës është Ministria e Diasporës.
Kuptohet që edhe Ministria e Jashtme i mbulon shumë nevoja dhe kërkesa që ka mërgata, qoftë sa i përket mbështetjes së saj politike – siç dihet Ministria e Jashtme në radhë të parë merret me relacionet ndërshtetërore me vendet e veçanta – qoftë përmes punës së shkëlqyer që po kryejnë ambasadat tona dhe qendrat konsullore.
albinfo.ch: Sa keni qenë ju ministër i arsimit është bërë fjalë për një program “Brain gain” (kthimi i trurit) d.m.th. për stimulimin e kuadrove të shkolluara jashtë, që të punojnë në institucionet kosovare. A mund të na thoni se a ka treguar rezultate konkrete ky program dhe a është duke vazhduar?
Enver Hoxhaj: Pa dyshim se kthimi i trurit është ndër objektivat që ka Qeveria e Kosovës si tërësi dhe ne kemi një qasje që jo vetëm Ministria e Arsimit, e cila merret me çështjet e kapitalit intelektual të vendit, por edhe ministritë tjera, të angazhohen në një projekt të tillë. Prandaj, gjatë këtyre tri viteve të fundit shumë të rinj me studime të mbaruara në shtete perëndimore, janë kthyer dhe janë integruar në institucione, qoftë të pushtetit qendror, qoftë lokal apo në agjencionet publike të pavarura ose edhe në sektorin e biznesit, në Kosovë. Ata po kontribuojnë duke i bartur përvojat aftësitë dhe metodat e punës të vendeve nga kanë ardhur për të zhvilluar dhe modernizuar jetën në Kosovë.
albinfo.ch: A kanë treguar interesim konkret institucionet kosovare për shfrytëzimin e potencialit intelektual të diasporës, që, duke qëndruar në vendet ku jetojnë, t`i shërbejnë zhvillimit dhe procesit të lobimit për njohje të Kosovës?
Enver Hoxhaj: Pa dyshim që po. Përveç atyre që kthehen, dikush mund ta bëjë këtë edhe nga Zvicra, pa u kthyer fizikisht ë Kosovë. Ka shumë njerëz tanë që janë inkuadruar në jetën akademike të vendeve ku jetojnë. Prandaj Kosova ka edhe më shumë nevojë të investojë në një lloj, ta quajmë elite globale. Kjo mund të jetë një kontributi direkt i diasporës dhe veprimi i saj do të ishte një ndihmesë e madhe për Kosovën.
Shumë shqiptarë që kanë arritur rezultate në fushat si politikë, ekonomi, sport ose kulturë, në Zvicër, dhe kanë rrethin e tyre, duhet të jenë në mbështetje të Kosovës apo të vendeve tjera që banohen me shqiptarë. Unë mendoj se këtu Ambasada e Kosovës në Bernë dhe qendrat kulturore që do të hapen nga Ministria e Diasporës, do të kenë një rol shumë të rëndësishëm. Ato do të shërbejnë si ura që do ta lidhin këtë kapacitet të fuqishëm, intelektual, politik dhe moral, në proceset e rëndësishme në Republikën e Kosovës.
albinfo.ch: Pyetje e paevitueshme kur flitet me ministrin e jashtëm të Kosovës: A pritni që së shpejti të kemi ndonjë valë të re njohjesh? Nëse po, nga cilat shtete?
Enver Hoxhaj: Ne, si Qeveri e Kosovës, respektivisht zëvendëskryeministri Pacolli dhe unë, kemi të dhëna se janë një numër shtetesh që deri në fund të vitit mund ta marrin një vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, apo që janë tashmë në procedurën marrjes së vendimit për këtë. Mirëpo, duke respektuar kulturën dhe rregullat diplomatike, ne do t`i bëjmë publike këto vetëm pasi të marrim konfirmimin e vendeve përkatëse për njohjen e Kosovës.
albinfo.ch: Mediet në Prishtinë flasin për një rokadë që do të ndodhë së shpejti, me postet e ambasadorëve. A do të ketë me këtë rast edhe shkarkime nga postet?
Enver Hoxhaj: Qëllimi ynë si Ministri e Punëve të Jashtme është që Republika e Kosovës të ketë një kor diplomatik dhe ky kor mund të ndërtohet përmes ligjeve në fuqi që ka Kosova. Këto ligje parashohin që çdo shërbyes diplomatik, nga rangu i ambasadorit e më poshtë duhet të lëvizë brenda sistemit tonë diplomatik. Kjo nënkupton se ai mund të lëvizë nga një ambasadë në një ambasadë tjetër apo nga ambasada në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Prishtinë, sikurse ndodh edhe në Zvicër apo edhe në vende tjera evropiane. Ministria në këtë drejtim në emër të Qeverisë, do t` kryejë procedurat e nevojshme për atë se cili kandidat në cilin vend do të na përfaqësojë, çfarë përgatitje profesionale, politike diplomatike gjuhësore kulturore ka, që të lëvizë nga një ambasadë në një tjetër. Por propozimet reale i bën presidentja e vendit. Ajo i dërgon propozimet në vendet nikoqire, dhe kështu kandidatët nuk do të jenë ambasadorë deri në momentin kur të marrin agrimanin nga vendin ku janë propozuar. Krejt ajo që thuhet në medie është e vërtetë por puna mbetet te procedurat lidhur me propozimet e emrave që i bën Kosova një shteti tjetër.
albinfo.ch: Mirëpo, ajo që po aludohet në mediet e Prishtinës është se ndryshimet po bëhen për të kënaqur apetitet e partnerit të ri në koalicion, AKR-së, dhe duke i dëmtuar kështu diplomatët e partnerit të mëparshëm, LDK-së!
Enver Hoxhaj: Jo. Ligjet në fuqi e rregullojnë shumë mirë çështjen e emërimit të ambasadorëve dhe stafit diplomatik. Po kështu, është një vendosmëri imja personale që çdo ambasador duhet të mbetet brenda përbrenda sistemit të shërbimit diplomatik. Por, në çdo vend të botës është e rregulluar që pas një periudhe të caktuar, diku 2 e diku 3 vite, ambasadorët lëvizin nga një ambasadë në një tjetër dhe kjo është e rregulluar me konventën Vjenës që funksionon prej më shumë se 100 vitesh. Çdokush që i njeh këto procedura e di se si funksionon shërbimi diplomatik, shërbim që nënkupton ministrinë dhe ambasadat.
E-Diaspora
-
Foto
Dita e dytë e Alba Festivalit Sot është dita e dytë e Alba Festivalit, ku pritet një atmosferë e zjarrtë ...
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?