Lajme
Hotelet si kërpudhat
Kosova jo-zyrtarisht numëron mbi 300 hotele. Në periudha të veçanta të vitit, Kosovarët ua kalojnë edhe të huajve me vizitat në hotele

Kanë emra nga më të ndryshëm, shpesh edhe shumë të çuditshëm. Ato janë të ndërtuara kudo dhe në disa raste pa pikë shije.
Kjo nuk është gjëegjëzë, sepse mund t’ia qëllojë secili. Këto janë hotelet e motelet e Kosovës, të cilat sipas të dhënave zyrtare, edhe pse janë të shumta në numër, duket e kanë goxha punë.
Shteti më i ri i Evropës, dhe njëkohësisht edhe më i varfëri në këtë kontinent, ka aq shumë hotele e motele, saqë të krijohet përshtypja se askush nuk fle e nuk jeton në shtëpitë e veta.
Secili që lëvizë rrugëve të vendit, këtë mund ta vërejë, pa ndonjë mund të madh. Sado që Kosova ka vetëm shtatë qytete pak më të mëdha e të tjerat thjeshtë janë qyteza, hotele e motele ka në 95 përqind të tyre.
Ekzistimi i tyre edhe do të mund të arsyetohej sikur në vend të kishte shumë turistë, por tash për tash ata nuk janë të paktë në numër.
Sidoqoftë, duke marrë parasysh se në Kosovë ka një numër të madh të misioneve ndërkombëtare, atëherë del se edhe klientët që shfrytëzojnë ato, janë goxha shumë.
Por në këtë rast, çudia më e madhe është se në këto hotele, raporti ndërmjet vendorëve e të huajve që i shfrytëzojnë ato, del të jetë gati i barabartë.
Hotele edhe në qyteza
Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), saktësisht Departamenti i Hotelerisë dhe Turizmit, si dhe Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), del se në të gjitha komunat e Kosovës, këtë veprimtari e ushtrojnë 163 hotele.
Albinfo ka siguruar raportin zyrtar të këtyre institucioneve që përfshinë tre muajt e parë të vitit 2011, e ku të gjitha këto 163 hotele të licencuara, kanë së bashku 2 mijë e 464 dhoma.
Qytetet me më së shumti hotele janë Prishtina me gjithsej 30, pastaj është Prizreni me 15, Ferizaj me18 dhe qyteza e Lipjanit me 13 hotele.
Sipas të dhënave zyrtare, del se këto motele e hotele, shfrytëzohen shumë edhe nga vendorët, madje jo vetëm të vizitohen, por ata edhe flenë në to.
Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në këto hotele kanë qëndruar 11 mijë e 692 vizitorë vendorë, që është shumë larg nga të huajt të cilët ishin vetëm 5 mijë e 535 persona.
Por në këto të dhëna nuk përfshihet fjetja e tyre, por vetëm qëndrimi, që do të thotë se ata vetëm kanë qëndruar për disa orë dhe brenda ditës kanë dalë prej aty.
Ndërkohë, raportet e shifrave ndërmjet vizitorëve vendorë dhe të huaj në hotele, ndryshon pak kur vjen puna të fjetja e tyre.
Edhe pse me diferencë fare të vogël, të huajt janë ata që prijnë në kategorinë e fjetjes në hotele të vendit.
Zviceranët në hotelet kosovare
Sa i përket numrit të vizitorëve të jashtëm sipas shteteve prej nga vijnë, përgjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti, vendin e parë e zënë gjermanët, pastaj shqiptarët (Shqipëria), amerikanët, turqit, kroatët, britanikët, sllovenët e zviceranët.
Por radhitja ndryshon pak kur vjen puna e të dhënave për numrin e netëve të qëndrimit të të huajve në hotelet e Kosovës.
Statistikat zyrtare tregojnë se për tre muajt e parë të këtij viti, më së shumti në hotelet e Kosovës kanë fjetur gjermanët të ndjekur nga amerikanët, kroatët, shqiptarë(Shqipëria), turqit, britanikët dhe zviceranët.
Tabela e te dhënave sipas vizitorëve nga shtete te ndryshme të botës ne hotelet e Kosovës
Pavarësisht këtyre të dhënave, sipas shpjegimit zyrtar të Entit të Statistikës së Kosovës, del se në këtë raport, nuk janë përfshirë disa hotele të mëdha në vend si hotel Iliria në Prishtinë, hotel Besiana dhe hotelet e komunës së Shtërpcës.
Përveç kësaj, të dhënat e disa hoteleve të tjera nuk janë përfshirë në këtë dokument edhe për faktin se shumë prej tyre që dikur ishin me status shoqëror, kanë qenë duke u përgatitur për procesin e privatizimit.
Po ashtu, në raport nuk janë të përfshirë edhe hotelet dhe motelet e pa licencuara të cilat e ushtrojnë këtë veprimtari, por që janë në procedurë e sipër për marrjen e licencës.
Se numri i hoteleve në vend kalon shifrën prej 163, këtë e pohojnë edhe ekspertë të turizmit si Zekë Çeku, i cili ka deklaruar se licencimi i tyre si proces, tashmë është i vjetruar.
Zekë Çeku, ekspert i turizmit
“Fatkeqësisht, ne nuk kemi statistika të mirëfillta në turizëm dhe numri i tyre është mbi 300. Kjo për shkak se hotelet e reja nuk kanë aplikuar asnjëra për licencë, por ato tani marrin vetëm lejen e punës prej organit komunal”, është shprehur eksperti Çeku, duke qenë i bindur se Kosova ka shumë hotele.
Përveç kësaj, ai është shprehur se si veprim të domosdoshëm duhet bërë edhe kategorizimin e hoteleve, sepse gjithkush i vendos hotelit të vet sa yje të dojë.
Ai ka treguar se në shumë raste, turistët zhgënjehen nga numri i madh i yjeve që vendosin hotelet kosovare, e të cilat nuk i ofrojnë ato kushte.
Kosovarët e të huajt, kush më shumë në hotele?
Kështu, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në hotelet e vendit kanë fjetur 11 mijë e 893 persona të huaj, ndërkohë që vendorë ishin 11 mijë e 751 klientë.
Gjatë tremujorit të parë 2011, numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele të vendit ka qenë 17 mijë e 727 persona, prej cilëve 69 përqind ose 11 mijë e 692 klientë ishin vizitorë vendas.
Nga tërë këta persona, ata kanë bërë 11 mijë e 751 net qëndrimi në këto hotele ndërkohë që 31 përqind ose 5 mijë e 535 vizitorë të jashtëm kanë fjetur 11 mijë e 893 net në hotele.
Në rast se të dhënat krahasohen me tremujorin e parë të vitit 2010, atëherë vërehet një ulje në numrin e vizitoreve vendor prej 1 mijë e 978 personash e po ashtu edhe një ulje në numrin e vizitorëve të jashtëm për 2 mijë e 57 vetash.
Sa i përket numrit të vizitorëve sipas qyteteve ku veprojnë këto hotele, atëherë del se Prishtina, prin me gjithsej 7 mijë e 493 klientë, por menjëherë në vend të dytë radhitet qyteza e Lipjanit me 4 mijë e 724 vizitorë.
Edhe sa i përket netëve të qëndrimit në këto hotele, gjatë muajt, janar, shkurt e mars të këtij viti, kryeson qyteti më i madh në vend, Prishtina me gjithsej 13 mijë e 426 net qëndrimi, pastaj qyteza e Lipjanit radhitet i dyti me 4 mijë e 724 dhe Ferizaj i treti me 1 mijë e 570 net qëndrimi.
E-Diaspora
-
Bota e logjistikës ajrore: prapa kuintave të kompanisë Cargologic në Cyrih Në një ditë të zakonshme pune, në një nga nyjet më të rëndësishme të transportit ajror...
-
‘Çka Ka Qëllu’ sërish në top listën e restoranteve më të mira të Nju-Jorkut
-
Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara
-
Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja
-
Shqiptari që pozoi me 250 mijë funte e fiton betejën për qëndrim në Britani
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€