Lajme

Homoseksualizmi në Ballkan nuk është më tabu

Qytetarët që i përkasin komunitetit LGBT kanë filluar t’i thyejnë tabutë dhe të deklarohen hapur nëpër vendet e Ballkanit. Megjithatë, shumë prej tyre e kanë vështirë të deklarohen

Qytetarët e vendeve të Ballkani vazhdojnë të kenë fobi nga komuniteti LGBT (lezbikë, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë), prandaj nuk i pranojnë në rrethin e tyre. Madje ky lloj komuniteti ka frikë të deklarohet se është LGBT nga botëkuptimet e errëta qytetare.

Slobodan Blagojeviq dhe Hamdija Demiroviq përbëjnë dyshen “fatale” për ekstremistët në Serbi. Ata janë dy emrat e parë që nga Sarajeva filluan marshimin drejt Beogradit për të përhapur një kulturë të re, atë të frymës homoseksuale.

Dy dekada më vonë, kultura gej në këtë shtet është shtypur nga një paradë e përgjakshme dhe të tjera që nuk u mbajtën kurrë. Në Zagreb, ndërkaq një festival i përvitshëm sjell festën e komunitetit.

Queer Zagreb Festival, ose Festivali Homoseksual i Zagrebit sjell rreth 400 performues çdo vit, bashkë me teatër, muzikë dhe film. Madje, në po këtë festival ka luajtur edhe Orkestra Simfonike e homoseksualëve të Londrës. 

Në qendër të Prishtinës, Semi për disa vite është një nga artistët që përkrah komunitetin. Në vazhdimësi ai po përgatit edhe një video me persona transeksual ku thotë se po sjell aktivizmin e vërtetë në mbështetje të komunitetit LGBT. Edhe në Prishtinë, ky komunitete ka përjetuar “katrahurë”.

Në ditën kur po promovohej një revistë që kushtohet kësaj bote “Revista 2.0” , dhjetëra qytetarë kishin hyrë dhunshëm në objekt duke demoluar çdo gjë që kishin gjetur përpara.   

“Një artist mund të jetë “homoseksual” pa e ditur fare, homo në kuptimin që bën vepra që i përkasin komunitetit, duke e mbështetur e në disa raste edhe duke e shtypur atë”. thotë italiani Andrea, citon gazeta “Zëri”.

Sllovenia e Kroacia më liberalë ndaj LGBT-së 

Në vitin 2002, Sllovenia dërgoi në festivalin e Evrovizionit trion e transvestitëve Sestre, dhe kështu nisi periudha e një aktivizmi për homoseksualët kudo, kjo me anë të artit.

Në vitin 1992 Srdan Kranovic bëri filmin “Virdzina”, me protagoniste një vajzë e cila rritet si djalë nga babai i saj në një fshat të humbur të Bosnje Hercegovinës, kjo për të mos humbur nderin e familjes pa asnjë trashëgimtar mashkull. Kështu, familja do ti shpëtonte turpit publik. Të tilla ngjarje nuk janë të pakta as në fshatrat e Kosovës dhe Malit të Zi.

Melisa Ljubovich, 23 vjeçarja nga Sarajeva mendon se termi “queer”, në përkthim shqip “pederast” shpesh është shumë i keqkuptuar në shoqëritë evropiane, sidomos ato ballkanase.

“Në Bosnjë Hercegovinë ky lloj arti është pothuajse i vdekur dhe ka nevojë për ringjallje. Arti homoseksual në këtë shtet duhet të vij në pah, duhet të zhvillohet. Komuniteti gej, lesbike, transeksual dhe biseksual e di kuptimin, por të tjerët mendojnë vetëm gjëra të fëlliqura për ne”, tregon Ljubovich.

Arti homoseksual është kultura e zhvillimit të artit i cili anon kah paraqitjet e homoerotizmit, afeksionit mes seksit të njëjtë. Dikotomia lidhet me poezitë, filmin, dramën, teatrin dhe muzikën e cila anon kah përkrahja dhe mund edhe të mos vie drejtpërdrejt nga vetë komuniteti.

Në Kosovë, para pak kohe një ekspozitë e tillë është sjellë në hapësirën manipuluese “Tetris” në kryeqytet.

“Unë po i edukoj ata, sepse të jesh artist përkrahës i komunitetit jo patjetër duhet ti përkasësh këtij komuniteti. Ky është një keqkuptim i madh. Për mua, Serbia dhe Kroacia janë shumë të zhvilluara në këtë aspekt, ndërsa Maqedonia është transparente në promovimin e artit homoseksual”, tregon Ljubovich.

Gazeta sjell në “dritë” edhe disa qytetarë të tjerë nga të gjitha vendet e Evropës që i përkasin këtij komuniteti.

“M”, rreth të 30-tave është fotografe lesbike nga Prizreni. Ajo është parë duke u puthur me partneren e saj shumë afër Shatërvanit të qytetit, ndërsa thotë se këtë praktikë e bën sa herë që ka dëshirë, pa hezitim.

Edhe në Prizren LGBT i pranishëm

Gjatë festivalit Dokufest, dyshja ka shprehur dëshirë që të pozojë për një turist fotograf nga Franca, i cili dëshiron të bëjë ekspozitë mbi homoseksualitetin në Ballkan.

Pos fotove normale, Frederik do të zhvillojë edhe foto në formë animacioni dhe më pas gjithçka do të kurorëzohet me një ekspozitë në Paris.

“E ndjeva veten mirë, ndoshta pak në siklet kur u puthëm në qendër të qytetit. Unë e di se e dashuroj partneren time por pse të mos bëhem njëfarë përkrahëse e komunitetit duke pozuar”, thotë M.

Ndërsa Vahit, 25 vjeçar nga Turqia, ka shfrytëzuar regjimin e fortë turk dhe protestat e Gezi Parkut për të nxjerrë në pah artin dhe përkrahjen ndaj komunitetit LGBT. Ai thotë se nuk është raportuar nga mediet, por se diku në qoshe të Taksimit ai me aktivistët e tjerë të mjedisit kanë hapur ekspozitë me fotografi të komunitetit duke u puthur. Dikush madje ka shkruar edhe poezi homoerotike.

“Prej shtatorit, kam përshtypjen se historia e Gezi Parkut do të përsëritet. Mashtrohen ata që mendojnë se rinia është qetësuar, sepse pasi të nis shkolla dhe të aktivizohet jeta protestat do të rinisin” tregon Vahit.

Ndryshe, në retrospektivë, viti 2003 shënon një kthim të madh në kulturën dhe aktivizmin homoseksual në Ballkan.

Storie, dokumentarë, ese, poema e romane kanë nisur të mbijnë bashkë me revistat dhe magazinat e komunitetit. Zarez, Libra Libera, Album, Kica, Kolaps, Iza, Teorija Koja Hoda, Deco dhe GAY(TO) janë disa prej projekteve artistike homoseksuale në Evropë në fillim të këtij shekulli.