Lajme

Heshtje e brishtë “në qytetin e plumbit”

Avni Kastrati, kryetari i Mitrovicës thotë për “albinfo.ch” se disa prej strukturave kriminale në veri, janë forcuar aq shumë, sa që u kanë dalë dore edhe qeveritarëve serbë

Qyteti i Mitrovicës, i njohur dikur si vendi i plumbit dhe zinkut, ka disa vite që mbanë epitetin e qytetit të ndarë në dysh. Lumi Ibër që rrjedh nëpërmes të qytetit, që nga përfundimi i luftës (1999), “qytetin e minatorëve” e ka ndarë etnikisht, në jug dhe veri.

Pjesa jugore e qytetit administrohet nga Prishtina zyrtare, ndërsa pjesa veriore menaxhohet nga strukturat paralele serbe që financohen nga Beogradi. Pjesa veriore e Mitrovicës është konsideruar për vite të tëra si “oaza” e krimit të organizuar ku gjithçka funksionin jashtë ligjit.

Prandaj, që t’i jepet fund anarkisë në veri, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq me lehtësimin e baroneshës britanike, Catherine Ashton, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e gjendjes në veriun e “rebeluar”.

Por, si do të reflektohet kjo marrëveshje në terren dhe a ka frikë se situata do të dalë jashtë kontrollit, për këto çështje flet në një intervistë për “Albinfo.ch”, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Ai pa hezitim deklarohet për strukturat paralele në veri, për gjendjen e shqiptarëve në pjesën veriore, për Trepçën si kompani gjigante si dhe për investimet e huaja në “qytetin e plumbit dhe të zinkut”.       

Albinfo.ch: Z. Kastrati, në Mitrovicë muajve të fundit kanë ndodhur disa shpërthime. Si qëndron situata andej e këndej lumit?

Avni Kastrati: Në kohën sa kanë vazhduar bisedimet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, grupet kriminale në veri patën intensifikuar incidentet. Krejt kjo ka ndodhur si rezultat i mospajtimit të tyre me vendosjen e rendit dhe ligjit.

Atyre nuk ju konvenon rendi dhe ligji. Atyre ju konvenon kaosi në mënyrë që të mund të vazhdojnë avazin e tyre të vjetër të përfitimit nëpërmjet mënyrave joligjore. Megjithatë javët e fundit situata duket më e qetë, fal edhe shtimit të pranisë së forcave të sigurisë, mandej patrullimit të përbashkët nga Policia e Kosovës dhe EULEX-it etj. Sido që të jetë situata në veri mbetet e brishtë. 

Albinfo.ch: Në Bruksel është nënshkruar një marrëveshje që synon paqen në veri. A besoni se kjo marrëveshje e sjell integrimin dhe paqen në veriun rebeluar?

Kastrati: Marrëveshja e arritur në Bruksel në radhë të parë ju ka dhënë fund disa skenarëve të qarqeve nacionaliste serbe. Ata e kanë kuptuar se Kosova nuk mund të ndahet. Ndërsa qeveritarët serbë e kanë pranuar Kosovën si shtet në gjithë territorin, meqë janë pajtuar që ky shtet të funksionoj sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Duke pasur parasysh përkushtimin e bashkësisë evropiane, besoj fuqishëm se marrëveshja do të zbatohet dhe gradualisht gjendja në terren do të normalizohet.

Albinfo.ch: A po frikësoheni se gjatë zbatimit të marrëveshjes mund të ketë reagim, dhe situata mund të dal jashtë kontrollit?

Kastrati: Reagimet e grupeve kriminale dhe strukturave paralele serbe ndaj shtetit të Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës nuk kanë munguar asnjëherë. Mirëpo në të njëjtën kohë nuk ka munguar as angazhimi ynë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Merita më e madhe u takon në rend të parë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në veri, të cilët përkundër provokimeve të vazhdueshme janë treguar shumë të përgjegjshëm ndaj situatës. Mendoj se bashkërendimi i veprimeve ndërmjet popullatës dhe institucioneve nuk do të lejoj eskalimin e situatës deri aty se situata të del jashtë kontrolli.

Albinfo.ch: Si po jetojnë shqiptarët në veri? Kush po i siguron ata?

Kastrati: Shqiptarët në veri jetojnë në rrethana të vështira, kanë probleme për lëvizje të lirë, me punësim etj. Siguria nuk është në nivel, mirëpo muajve të fundit është parë një vendosmëri shumë më e madhe e strukturave të sigurisë dhe kjo ka dhënë rezultat. Si rrjedhojë edhe besimi i qytetarëve që jetojnë në veri është rritur andaj ata vazhdojnë të jetojnë në pronat e tyre.

 Albinfo.ch: Kohën e fundit një kompani amerikane kërkoi leje nga Beogradi për privatizimin e Trepçës? E kujt është Trepça, e Beogradit apo Prishtinës?

 Kastrati: Kosova është shtet i pavarur i pranuar nga afër 100 shtete. “Trepça” është brenda Kosovës dhe ajo nuk mund të jetë e dikujt tjetër. Ambasada e SHBA-së e ka dhënë sqarimin për këtë çështje dhe ne nuk kemi çka t’i shtojmë. Askush nuk mund të bëj marrëveshje për “Trepçën” pa “Trepçën” dhe pa Kosovën.

 Albinfo.ch: Iu intereson qytetarëve: Në cilën pjesë bien galeritë nëntokësore të Trepçës, në veri apo në jug?

 Kastrati: Miniera kryesore e “Trepçës” është në jug, mirëpo nuk do të thotë se për asetet tjetra që gjenden në veri mund të bëj pazare dikush tjetër pa Kosovën.  

 Albinfo.ch: A keni informata kush po i ndërsen strukturat paralele në veri?

 Kastrati: Nuk ka kurrfarë fshehtësie. Strukturat paralele mbahen dhe financohen nga Beogradi. Megjithatë disa prej tyre janë forcuar aq shumë nga përfitimet e jashtëligjshme sa që u kanë dalë prej dore edhe qeveritarëve serbë.

 Albinfo.ch: Pavarësisht ndarjes së qytetit, duket se nuk kanë munguar investimet e huaja. A ka klime të përshtatshme për investime në Mitrovicë? 

 Kastrati: Rrethanat e pasluftës patën frikësuar investitorët në Mitrovicë. Pasiguria, mungesa e lëvizjes së lirë në gjithë qytetin, ishin lajmi kryesor. Dhe ky lajm është i keq për investitorët. Megjithatë realiteti në vitet e fundit ka ndryshuar rrënjësisht, jo pse gjendja është normalizuar tërësisht, mirëpo se qytetarët dhe investitorët janë bindur se ka kushte, ka mundësi dhe ka profit. Ne si pushtet lokal kemi bërë krejt çka është e mundur që të lehtësojmë kushtet për investitorë, kemi thjeshtëzuar procedurat, kemi ofruar hapësirat dhe gjendja po përmirësohet vazhdimisht. Si rrjedhojë ne kemi krijuar një partneritet të fuqishëm më donatorët. Jemi shpallur si komuna më bashkëpunuese dhe me kënaqësi mund të përmendi se vetëm vitin e kaluar dhe sivjet kemi projekte që kanë nisur të realizohen në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh.