Lajme

Helmi i Drenicës

Mbetjet e rrezikshme industriale që Ferronikeli hedh pa asnjë kriter, ka bërë që banorët e Drenasit të jetojnë me frikën e ndonjë sëmundjeje. Matjet e ajrit kanë rezultuar me ndotje mbi shkallën e lejuar nga grimcat që përhapen në atmosferë. Pas gjobës së shqiptuar kësaj fabrike, Ministria e Mjedisit shpejt do t’u kërkojë drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje zgjidhje për këtë problem. Në kodrën përballë fabrikës së Feronikelit, që dikur e formonte dheu, tash ka zënë vend skoria, mbetjet industriale të fabrikës.

Mbi këtë kodër artificiale, nuk ka mbetur asnjë lis, e as gjelbërim. Madje edhe dheu që ishte dikur, është tretur. Vendin e tij, tash e ka zënë bërlloku i fabrikës. Pluhuri i zi që është formuar si pasojë e hedhjes së mbetjeve industriale nga punëtorët e Feronikelit, ka filluat t’i shqetësojë edhe banorët. Shtëpia e Vlora Morinës është shumë pranë kodrës mbi të cilën hidhen mbetjet e rrezikshme industriale të fabrikës.

Pothuajse çdo mëngjes, kësaj gruaje i duhet që së pari të pastrojë hirin e zi që i futet brenda në shtëpi, e pastaj të merret me dy vajzat e saj. Kjo gjendje ka filluar të bëhet e padurueshme për të. “Nuk guxoj kurrë t’i hap dritaret e shtëpisë sepse përndryshe e pësoj”, thotë Vlora. Ajo tregon se si pasojë e saj, dy vajzat tashmë kanë filluar të kenë probleme me shëndetin. “Nuk po mërzitem për vete e për burrë, por vajzat që kanë filluar të kenë problem me frymëmarrje”, tregon Vlora, për çka thotë se fajin kryesor e ka skoria.