Kosova

Haxhiu: Kosova ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias për të filluar procesin e Vettingut 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Albin Kurti tha se Kosova ka marrë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e Vetingut dhe për të formalizuar punën e byrosë shtetërore për konfiskimin pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja Haxhiu deklaroi se ka prezantuar argumente dhe qëndrimin e Republikës së Kosovës  lidhur me rëndësinë e zhvillimit të procesit të Vetingut në sistemim e drejtësisë në seancën plenare të Komisionit të Venecias, e cila është mbajtur të premten, përcjell teve1.info.

“Në seancën plenare të Komisionit të Venecias që u mbajt dje ne sërish kemi prezantuar argumentet dhe qëndrimin e Republikës së Kosovës  lidhur me rëndësinë e zhvillimit të procesit të Vetingut në sistemim e drejtësisë dhe domosdoshmërinë e themelimit të Byrosë shtetërore për verifikimin  dhe konfiskimin pasurisë së pajustifikueshme. Që të dyja këto nisma janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias dhe tashmë kemi marrë dritën e gjelbër për të filluar procesin e Vetingut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e Byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, tha ministrja.

Haxhiu ndër të tjera theksoi se komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, duke filluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarëve të gjitha gjykatave dhe prokurorëve të gjitha prokurorive themelore.

“Veting do të ketë dhe atë të plotë dhe siç duhet, duke filluar nga krerët e institucioneve të Drejtësisë dhe më pas do të garantohet kontrolli permanent për gjithë sistemin. Prej sot Republika e Kosovës fillon një epokë të re, së pari në marrëdhëniet me një trup të Këshillit të Evropës siç është Komisionin i Venecias, pra një mekanizëm i fuqishëm për drejtësinë dhe demokracinë dhe, së dyti, sepse Republika e Kosovës do të ndërmarrë me vullnet të saj një proces që ka si synim kontrollin e vetvetes për të mbërritur deri te drejtësia dhe, së treti, sepse Qeveria e shtetit të ri që sapo ka aplikuar në Këshill të Evropës është e gatshme të krijojë kushtet që të hapet rruga për një luftë të përhershme kundër krimit të organizuar dhe formave të korrupsionit që kanë buruar nga pushtetet”, tha ministrja Haxhiu në fund të konferencës për media./Albinfo.ch