Lajme

Haxhinasto kërkon zbardhjen e incidenteve në Maqedoni

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë në Shkup se Tirana kërkon zbardhjen e të gjitha incidenteve

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit për trajtimin e këtyre ngjarjeve”, ka deklaruar Edmond Haxhinasto, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki.

Shefi i diplomacisë shqiptare është pyetur edhe lidhur me djegien e flamurit maqedanas në Burrel të Shqipërisë dhe me këtë rast ka dënuar jo vetëm këtë akt por edhe atë të djegies së flamurit shqiptar..

“Kam parë edhe incidente në të cilat është djegur flamuri shqiptar. Incidentet e tilla nuk guxojnë të ndodhin, pasi simbolet kombëtare janë të shenjta për çdo komb, për çdo qytetar. Por, ne sot konstatuam se këto incidente nuk i prishin raportet tona të shkëlyqeshme. Do të përsërisë edhe njëherë se është shumë me rëndësi që institucionet të veprojnë sipas ligjit”, është shprehur Haxhinasto, raportojën mediat shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, Haxhinasto, është pritur edhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetëror.