Lajme

Hapet edhe një pikë shkollore në Kantonin e Cyrihut

Hapet pika shkollore në Küsnacht të kantonit të Cyrihut

Festat e nëntorit, si zakonisht sjellin lajme të mira në mërgatën shqiptare, ndaj sot më 12 dhjetor pas festave të shumta nën hijen e programit shkollor “Festojmë kuq e zi”, erdhi  lajmi më i gëzueshëm për fëmijët shqiptarë në Komunën Küsnacht të Kantonit të Cyrihut. Ata filluan mësimet e rregullta në gjuhën shqipe, në shkollën fillore “Heslibach”, të kësaj komune.

Me librat shqip në duar, edhe nxënësit duken më e bukur! – Nxënësit e Shkollës Shqipe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut së bashku me mësuesen e tyre Miranda Ramani

Të premten me datë, 12 dhjetor 2024 “Shkolla Shqipe” hapi dyert edhe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut, duke iu mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të vijojnë mësimet në gjuhën amtare. Mësuesi dhe veprimtari i Lidhjes se Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër Vaxhid Sejdiu së bashku me prindërit e kësaj komune dhe mësuesen e kësaj pike shkollore Miranda Ramani, pas një pune gati dy mujore arritën që qëllimin e tyre ta bëjnë realitet.

Nxënësit: Hana, Asja, Maliku, Sara, Ruhani, Kanita, Meleku, Alisa, Hamza, Mira, Rajna, Bera, Noar dhe Suela të cilët tani më janë pjesë  e shkollës shqipe, ju bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë, të cilët banojnë me familjet e tyre në këtë komunë, që të regjistrohen në shkollën shqipe. Të gëzuar ishin edhe prindërit, të cilët numëronin  një mori faktesh se pse pikat shkollore duhet të jenë sa më afër fëmijëve dhe vendbanimeve të tyre.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Küsnacht gjatë orës së parë mësimore

Nxënësit e shkollës shqipe në Küsnacht dëshmuan se që nga ora e parë mësimore se sa kishin nevojë, të takohen me librin shqip, disa me abetaren e gjuhës shqipe dhe disa me njësitë mësimore të një niveli më të lartë. E veçanta, për ta ishte alfabeti i gjuhës shqipe, shkronjat dyshe si dhe gjeografia shqiptare. Ata për herë të parë kuptuan se pavarësisht se shqiptarët jetojnë në shtete të ndryshme ata kanë një gjuhë, e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe.

Naim Frashëri apo siç i themi ndryshe bilbili i gjuhës shqipe dekada më parë kishte thënë: “Është turp të mos e dijë shqiptari gjuhën e  tij”. Në të njëjtat “valë” ishte edhe poezia e tij kushtuar gjuhës shqipe, e cila nga kritikët konsiderohet “si perlë e vlefshme për çdo kohë e çdo moshë”.

“Vëllezër shqiptarë!

Qasuni më dëgjoni,

Sa të mundeni më parë

Gjuhën tuaj mësoni.”

Të njëjtën frymëmarrje e gjejmë edhe në fjalët e urta, siç është “në gjuhë tjera edhe mund të flas por kur më dhemb shpirti vetëm shqip bërtas”.

Sektori për informim