Gjuha
Hap dyert shkolla shqipe në Londër
“Ardhmëria” hap shkollën e gjuhës shqipe në Bexleyheath

Fundjavën që lamë pas shkolla shqipe “Ardhmëria” në Bexleyheath, Londër, hapi dyert për vogëlushët e saj, duke filluar kështu një kapitull të ri në mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar në diasporë. Ngjarja, e mbushur me emocion dhe gëzim, shënoi një moment të rëndësishëm për familjen e madhe “Ardhmëria”, që përfshin prindër, fëmijë dhe mësues.
Mësuese Lindita Bazina dhe koordinatorja e shkollës në një postim në rrjetin social rrëfeu padurimin për këtë moment. “Sa na kishte marrë malli! Familja jonë e madhe – prindër, fëmijë e mësues – së bashku. Gëzim e krenari!”, shkruan ajo, duke theksuar lidhjen e fortë dhe unitetin që përshkon këtë institucion.
Në këtë festë shkolla “Ardhmëria” mikpriti shumë përfaqësues të rëndësishëm nga Shqipëria dhe Kosova. Midis të ftuarve ishin ministri i Marrëdhënieve me Parlamentin shqiptar, z. Taulant Balla, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, z. Uran Ferizi dhe Përfaqësuesja e Ambasadës së Kosovës në MB, znj. Arta Qehaja. Po ashtu, u nderua me praninë e z. Lavdrim Krrashi, deputet i Parlamentit shqiptar dhe Kryetar i Bordit Drejtues të Shoqatës Ardhmëria, si dhe z. Lutfi Vata, Kryetar i Lidhjes së Mësuesve në MB.
Të pranishmit shprehën mirënjohjen e tyre për kontributin e prindërve dhe angazhimin e stafit të mësuesve. “Si mund të mblidheshim nëse nuk do kishim prindërit që sjellin njomëzakët bukurosh/e në shkollën tonë? Mirënjohje pa fund për Ju, prindër, për bashkëpunimin dhe dashamirësinë Tuaj!”, tha mësuese Linda, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së prindërve në këtë mision fisnik.
Kryetarja e Prefekturës së Bexley, znj. Sue Gawer, gjithashtu e vlerësoi këtë ngjarje, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes gjuhës, traditave dhe kulturës. Ajo u shpreh e lumtur për kontributin e komunitetit shqiptar në zonën e saj elektorale, duke i ftuar të pranishmit të vazhdojnë të angazhohen për të mirën e të gjithëve.
Një moment emocionues ishte kur fëmijët u pyetën për pushimet e tyre në vendlindje, duke u ofruar mundësinë për të ndarë përvojat e tyre dhe për të filluar këtë vit të ri akademik me energji pozitive. Siç tha mësuese Linda: “Sa bukur të shohësh buzëqeshjen dhe sytë vezullues të fëmijëve!”
Në fjalimin e saj, znj. Vildana Dibra-Zhubi, Presidentja e Nderit të shkollës, e nënvizoi rëndësinë e punës së stafit dhe kontributin e prindërve për zhvillimin e shkollës. “Puna juaj një ditë shpresoj që do të vlerësohet edhe më shumë kur prindërit shqiptarë të dëgjojnë fëmijët e tyre të na prezentojnë në gjithë botën”, tha ajo.
Me përkushtim dhe pasion, stafi i shkollës Ardhmëria, nën drejtimin e z. Lutfi Vata, po angazhohet për t’u ofruar fëmijëve një mësim të thellë dhe të pasur në gjuhën shqipe.
Ku edhe një herë shpreh mirënjohjen ndaj gjithë të ftuarve për vazhdimësinë e të qenët prezentë që prej vitit te shkuar.
Një falënderim i veçantë shkoi edhe për biznesmenin z. Skënder Përpepaj, për kontributin financiar të tij për shkollën “Ardhmëria”.
Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje shprehën optimizëm për të ardhmen, duke u angazhuar për vazhdimin e misionit të shkollës për të ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare në diasporë.
Në përfundim, siç tha mësuese Linda, “ne kemi rrugë të gjatë dhe shumë punë për vazhdimin e kryerjes së misionit tonë fisnik – mësimin e shqipes sonë të dlirë – këtu në Londër. Plotësisht e realizueshme, falë punës së palodhur të stafeve tona”.
Kjo ngjarje ishte një reflektim i forcës dhe unitetit të komunitetit shqiptar në Londër dhe një dëshmi se gjuha dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë dhe të zhvillohen, pavarësisht distancave.
E-Diaspora
-
Arrestohet 18 vjeçari shqiptar në Itali, mbante mbi 220 doza kokaine në xhep Mësohet se një operacion i Karabinierëve në zonën e Centro-s, në Genova, çoi në arrestimin e...
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Ulen dënimet e kosovarëve të akuzuar për skllavërim të grave: Mungojnë faktet
-
Konflikt mes shqiptarëve në Itali, vritet me thikë 35-vjeçari
-
Autoshkollë e re në Winterthur, flasin edhe shqip!
Jeta në Austri
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri Ndër ngjarjet kryesore të kësaj jave, zbulohet se çfarë do të thonë rezultatet e zgjedhjeve të...
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Hetimi për aksidentin ajror në Graz në 2024 i kalon Zvicrës
-
Austri: Nxënësi 15-vjeçar pranon se ka dërguar kërcënime për bomba në tre shkolla
-
Pas Zvicrës edhe Austria i reagon Gjermanisë për kontrollet kufitare