Lajme

“Guardian”: spiunët rusë dhe serbë po destabilizojnë Maqedoninë

E përditshmja britanike “The Guardian” ka publikuar një seri dokumentesh të siguruara nga Shërbimet Inteligjente Maqedonase, të cilat faktojnë përpjekjen e Rusisë për të destabilizuar vendit

Shërbimi sekret i Rusisë në bashkëpunim me spiunët serbë, kanë punuar aktivisht për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit, e veçanërisht Maqedoninë si vend më delikat. Kështu shkuan në numrin e djeshëm gazeta prestigjioze angleze “Guardian” e cila ka botuar një seri dokumentesh ekskluzive, të siguruara nga shërbimet inteligjente.

Sipas gazetës angleze, tani e dhjetë vjet, me metoda perfide Rusi e Serbia po mundohet të krijohet konflikt etnik dhe politik, për ta vonuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Dokumentet e botuara tregojnë se Moska është duke rritur tentativat për ndikim në shtetet e ish Jugosllavisë. Qëllimi i Kremlinit dhe shërbyesve në Beograd, është që ta parandalojnë anëtarësimin e Ballkanit në NATO, shkruan gazetametro.net.

Dokumentet sekrete janë botuar fillimisht në Organizatën Botërore për Raportim të Korrupsionit (OCCRP) dhe më vonë janë botuar edhe në “Guardian”. Këto dokumente tregojnë se edhe shërbimi sekret serb ka përkrahur vijën pro-Ruse dhe anti-perëndimore.

Ndryshe, sipas dokumenteve të publikuara nga “Guardian” “Rusia është duke përdorur mjetet dhe metodat e të ashtuquajturës pushtet të butë, si pjesë e strategjisë së Federatës Ruse në Ballkan, qëllimi është izolimi i vendit nga ndikimi i perëndimit”. Ajo  thotë se politika e jashtme e Rusisë në rajon është “në korrelacion të ngushtë” me strategjinë e saj të energjisë.

Qëllimi i Kremlinit është të kontrollojë “burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me vendet e Ballkanit” dhe ta bëjë Maqedoninë “ekskluzivisht të varur”. Përpjekjet ruse dhe serbe për të larguar Maqedoninë nga perëndimi kanë kontribuar në krizën politike dhe etnike të gjatë të vendit, tregojnë dokumentet e rrjedhura.

Rusia ka rritur shumë investimet me “fuqinë e botë” duke përdorur kanalet e informimit si “Sputnik” dhe “RT” për të shpërndarë informata falso dhe për të bërë propagandë destabilizuese. Po ashtu, miliona euro janë investuar për organizata dhe OJQ në Ballkan për të promovuar identitetin “pan-Sllavik” dhe Kishën e përbashkët ortodokse.

Këto mjete propagandistike janë vërejtur edhe në Malin e Zi dhe në Kosovë, ku ka akuza konkrete për rolin e spiunëve rus në atentatin mbi kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanovic si dhe në destabilizimin e gjendjes në Kosovë. Muaj më parë, ishte një tren rus që u përdor nga Serbia për të destabilizuar Kosovën.

Ky tren u ndal nga forcat policore kosovare, ndërsa Serbia dhe Rusia kanë krijuar edhe një front të përbashkët kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës. Ndërsa në ditën kur sulmuesit e dhunshëm maqedonas hyrën në Kuvend dhe sulmuan deputetët e koalicionit, aty ishte prezent edhe një spiun i shërbimeve serbe, për të cilin foli edhe Beogradi.