Kosova

Gripi i shpezëve: Kosova ndalon importin nga Italia

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se në Itali është konfirmuar praninë e gripit të shpezëve, serotipi HPAI–H5N1, në ferma komerciale dhe tek shpezët e egra në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia.

Ky informacion bazohet në raportin më të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe në raportin e Komisionit Evropian datë 4 nëntor 2025.

Në përputhje me ligjin dhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Kosovë, AUV ka vendosur ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, shpezëve dhe produkteve të tyre që vijnë nga zonat e infektuara të Italisë.

Përjashtim bëhet vetëm për prodhimet që vijnë nga fermat e pa prekura brenda një rrethi prej 50 km nga zonat e infektuara.

Ky vendim hyn menjëherë në fuqi dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të ri të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar gjithashtu se do të monitorojë situatën epidemiologjike dhe do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen në kohë për çdo ndryshim eventual.