Kuriozitete
Google ndalon reklamat që mohojnë ndryshimet klimatike
Kompania Google po merr masa ndaj reklamave dixhitale që paraqesin pretendime false për ndryshimet klimatike, ose që përdoren për të nxjerrë fitim nga pretendime të tilla

Kompania shpreson të kufizojë në këtë mënyrë të ardhurat për mohuesit e ndryshimeve klimatike dhe të ndalë përhapjen e dezinformimit në platformat e saj.
Në një postim të enjten kompania tha se politika e re do të zbatohet edhe për YouTube-in, i cili vetëm një javë më parë njoftoi ndërmarrjen e masave të gjera ndaj dezinformimit për vaksinat.
“Kemi dëgjuar drejtpërsëdrejti nga një numër gjithnjë e në rritje të partnerëve tanë të reklamimit dhe publikimit, të cilët kanë shprehur shqetësime për reklama që shfaqen së bashku me pretendime të pasakta për ndryshimin klimatik, ose që i ushqejnë ato”, tha kompania Google. Ata “nuk dëshirojnë që reklamat e tyre të shfaqen përkrah një përmbajtjeje të tillë”.
Sipas kompanisë Google, publikuesit dhe krijuesit e materialeve në YouTube “nuk dëshirojnë që reklamat që ushqejnë këto pretendime të shfaqen në faqet apo videot e tyre”.
Kufizimet “do të ndalojnë reklamat me përmbajtje që kontradiktojnë konsensusin e konsoliduar shkencor për ekzistencën dhe shkaqet e ndryshimeve klimatike”, thuhet në postim.
Krahas trajtimit të shqetësimeve të publikuesve, ndryshimet duket se synojnë t’u kundërvihen influencuesve në internet të cilët përfitojnë financiarisht nga reklamat e futura në videot në YouTube që ushqejnë teoritë e mohimit të ndryshimeve klimatike.
Kompania tha se do të vendosen kufizime ndaj materialeve që e quajnë ndryshimin klimatik një skemë mashtrimi, ose që mohojnë se gazrat ndotës të efektit serë dhe aktiviteti njerëzor kanë kontribuar për ngrohjen afatgjatë të Tokës.
Ekspertët ngrejnë pikëpyetje për efektshmërinë e këtyre ndryshimeve.
“Si do ta përcaktojnë se çfarë është dizinformim (ose me fjalë të tjera – gënjeshtra), ose se çfarë është një informacion thjesht i mangët apo qëllimisht i pavërtetë?” thotë Lisa Schipper, studiuese e shkencave shoqërore mjedisore në Institutin e Ndryshimit Mjedisor në Universitetin e Oksfordit.
Ajo përmend si shembull pamjet e energjisë së pastër të nxjerra nga kompanitë e burimeve të ngurta energjitike. “Në shumë mënyra, këto lloj reklamash që sugjerojnë një tjetër lloj të vërtete mund të jenë edhe më të dëmshme, pasi duken si pa zarar, ndërkohë që shërbejnë për ta paraqitur kompaninë si të përgjegjshme ndaj mjedisit”, thotë zonja Schipper.
Kompania Google do të përdorë mjete të automatizuara dhe analistë për të zbatuar politikën që do të hyjë në fuqi në nëntor për publikuesit dhe krijuesit e materialeve në YouTube, si dhe në dhjetor për reklamuesit.
Do të vazhdojnë të lejohen reklamat me përmbajtje që ka të bëjë me tematika të ndërlidhura, si p.sh. debatet publike për politikat për klimën.
Sidoqoftë, debate të tilla mund të jenë po aq të polarizuara, thotë Steve Smith, drejtor ekzekutiv i një programi kërkimor për klimën në Universitetin e Oksfordit.
“Dizinformimi është i pranishëm në diskutimet në internet për tema si energjia me ndotje të pakët nga karboni, apo udhëtimet dhe ushqimet, po aq sa ç’ekziston për shkencën e klimës”, thotë zoti Smith.
Google është një nga dy kompanitë dominuese në industrinë e reklamave dixhitale në mbarë botën, me 147 miliardë të ardhura nga reklamat vitin e kaluar. Kompania e dytë e rëndësishme është Facebook-u, që ndalon reklamat e përdorura për të shpërndarë dizinformim, por që nuk ka një listë konkrete tematikash ku të përfshihej edhe mohimi i ndryshimeve klimatike.
Më herët këtë javë, kompania Google paraqiti opsione të reja për të ndihmuar individët e regjistruar të kontribuojnë në reduktimin e ndotjes nga karboni, ndër to edhe një opsion kërkimi që tregon se cilat fluturime avionësh kanë nivelin më të ulët të ndotjes.
Dizinformimi dhe roli që kompanitë gjigande të mediave sociale kanë në përhapjen e tij, është shndërruar në një shqetësim të madh për shumë njerëz. Rreth 95% e amerikanëve thanë se dizinformimi është problem kur përpiqen të marrin informacione të rëndësishme, thuhet në një anketim të publikuar të premten nga Instituti Pearson dhe Qendra Kërkimore për Marrëdhëniet me Publikun e agjensisë së lajmeve Associated Press dhe institutit NORC.
Problemi i kompanisë Facebook me dizinformimin u vendos në qendër të vëmendjes këtë javë, kur Frances Haugen, ish-studiuese e të dhënave që po denoncon tashmë publikisht, u tha ligjvënësve se kompania e di që platforma e saj përhap dizinformim, por refuzon të bëjë ndryshime që do të dëmtonin fitimet e saj.
E-Diaspora
-
Angli: Vrau 27 vjeçarin shqiptar, dënohet me burgim të përjetshëm Raportohet se 31 vjeçari shqiptar S.Sh, pjesëtar i grupit “Hellbanianz” është dënuar me burgim të përjetshëm...
-
Me helikopterë privatë nga Zvicra në Shqipëri dhe Kosovë
-
AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri
-
Gati 1 milion pasagjerë vetëm në muajin qershor, në Aeroportin e Tiranës
-
VLEN: Deklarata e Ali Ahmetit për regjistrimin është skandal, mërgata meriton përgjigje
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor