Lajme

Gjysma e remitencave përfundojnë jashtë Kosovës

“Shuma e parave që marrim nga diaspora në Kosovë është ekuivalente me shumën e parave që i japim për produkte serbe”

Më shumë se gjysma e dërgesave të diasporës për familjarët e tyre në Kosovë, shkojnë në konsum të brendshëm, ndërsa destincionin e fundit e kanë shtetin fqinj, Serbinë. Këto mjete, sipas doganave kosovare, shkojnë për blerje të mallit konsumues në Republikën e Serbisë.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, përqindja e importit nga Serbia ka shënuar rritje përkundër thirrjeve që të mos blihen prodhimet nga Serbia.

“Në vitin 2012, vlera e importit të mallrave serbe është afro 250 milionë euro, 3 për qind më shumë sesa në vitin paraprak”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Ndërkohë të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) flasin për një rritje të remitencave gjatë vitit 2012, krahasuar me vitin paraprak.

Dërgesat e kosovarëve në nëntëmujorin e parë të 2012-ës, sipas Besnik Kadës nga BQK-ja, kapin shumën e 436.7 milionë euro, krahasuar me 428.2 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2011.

Përqindjen më të madhe të këtyre dërgesave kosovarët e shpenzojnë në konsum, thotë ai, raporton “Zëri”.

Ndërsa sipas këtij raporti, në Kosovë konsumohen në shumicë produktet serbe.  Prandaj duke u bazuar në këto të dhëna, i bie se përqindja më e madhe e parave nga diaspora shkojnë në Serbi.

Lumir Abdixhiku, nga instituti RIINVEST tha se, “shuma e parave që marrim nga diaspora është ekuivalente me shumën e parave që i japim për produkte serbe”.

Eksperti për ekonomi, Muhamet Sadiku, ka thënë se produktet serbe tashmë kanë lëshuar rrënjë në Kosovë, por fajtor për këtë e bën edhe cilësinë jo të mirë të prodhuesit vendor.

“Ekziston një prapavijë historike e konsumit të produkteve serbe, në këtë aspekt janë krijuar edhe preferenca me vite të tëra”, tha ai.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, mendon se jo të gjitha paratë e diasporës po shkojnë në konsum. Sipas tij, në dy vjetët e fundit ky rend ka ndryshuar. “Trendi po ndryshon dhe një pjesë e parave po shkojnë edhe në investime të drejtpërdrejta”, ka thënë Rukiqi.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ndërkaq ka thënë se përkundër përpjekjeve të shumta që produktet vendore të jenë më të pranishme në tregun kosovar deri më tani kanë arritur që vetëm
12 për qind të zëvendësojnë produktet e huaja me ato vendore.

“Ritmi i zëvendësimit të produkteve të huaja me ato vendore është i ngadaltë për shkak se konsumatori kosovar ende nuk e ka vetëdijen aq të lartë dhe nuk i ka ndjenjat e nacionalizmit ekonomik”, ka thënë
Shahini.