Lajme

Gjysma e Evropës në Prishtinë

Rreth 400 kompani nga vende të ndryshme të botës, marrin pjesë në panairin ndërkombëtar në Prishtinë EXPOKOS 2012, më të madhin në rajon.

Era që frynte dhe moti i vranët, nuk penguan zyrtarët e lartë të shtetit dhe disa të tjerë të organizatave të huaja, përfshirë edhe Ambasadorë shtetesh, të qëndrojnë në platonë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Aty të mërkurën në mesditë u bë hapja solemne e panairit ndërkombëtar të njëmbëdhjetit me radhë, “Expokos 2012”, i cili do të presë vizitorët deri me 19 maj.

Në këtë panair, marrin pjesë kompani nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës, dhe numri i përgjithshëm i të cilave arrin deri në 400, janë ekspozuar artikuj të ndryshëm të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës, mobilierisë dhe palujtshmërive.

Në këtë panair më të madhin në rajon, përveç Kosovës, prezentë janë kompani nga shtete so Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Hungaria, Austria, Çekia, Greqia, Belgjika, Italia, Holanda, Anglia, Turqia, Serbia dhe Bullgaria.

© albinfo.ch

Në hapje të këtij panairi, Mimoza Kusari-Lila, Zv. Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, përshëndeti të pranishmit.

Në fjalën e saj ajo vuri në dukje lehtësirat të cilat dikasteri i saj është duke i aplikuar në mënyrë që bizneset ta kenë sa më të lehtë operimin e tyre në Kosovë.

“Qëllimi i këtyre reformave është që të tërheqim investime të cilat do të forcojnë ekonominë por gjithashtu do të krijojnë punësim të qëndrueshëm në Kosovë. Një e vërtetë e pa kontestueshme për procesin e reformave është se duhet të jeni të sinqertë dhe të ballafaqohemi me sfidat që megjithatë i kemi”, tha Kusari-Lila.

Ndërkohë, para saj të ulur qëndronin Dimitris Moschopoulos, udhëheqës i Zyrës së Greqisë në Prishtinë, Philipe Suinen, drejtor i Agjencisë për Tregti të Jashtme dhe Investime (AËEX,) nga Belgjika, Matthias Kiesler, Zv. ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Pavel Fára nga Konfederata e Industrisë nga Republika Çeke, Kyriakos Pozrikids, drejtor i Panairit ndërkombëtar të Selanikut dhe Bekim Xhafa, drejtor i CEO-s

© albinfo.ch

I lumtur që kishte marrë ftesën për këtë panair, aq më tepër kur vendi i tij ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, udhëheqësi i zyrës greke në Prishtinë, Dimitris Musufollus, vuri theksin te gjuha.

“Është e natyrshme që shtete fqinje të ndajnë kultura dhe gjuhë të ngjashme dhe ka më shumë fjalë të përbashkëta mes shqipes dhe greqishtes. Jam shumë i kënaqur që shoh kaq shumë pjesëmarrës nga Greqia, edhe pse vendi ynë po kalon në një krizë të madhe. Ne ende kemi dhe do vazhdojmë të kemi biznes të mirë, krijues të mirë dhe artizanati të mira”, u shpreh ndër të tjera ai.

Duke folur për Belgjikën, drejtori për tregti të Jashtme dhe Investime nga ky shtet, Philip Sylen ka pohuar se janë të kënaqur për pjesëmarrjen e tyre.

“Shpresojmë se kjo është një nga dritaret e shumta të Kosovës drejt botës së jashtme. Ne kemi për qëllim të sjellim njerëz, t’i vëmë në kontakt me njëri tjetrin dhe të kenë kontakte me të shteteve të ndryshme të botës”, tha ai.

© albinfo.ch

Gjatë ditëve në vazhdim, përveç kompanive të shumta ekspozuese dhe vizitorëve profesionistë nga Kosova dhe rajoni, panairi do të vizitohet po ashtu edhe nga shumë delegacione të bizneseve nga vende të ndryshme.

Gjatë ditëve sa panairi do të qëndrojë i hapur, pritet të ketë seminare, konferenca dhe prezantime nga profesionistë, udhëheqës të asociacioneve të biznesit, përfaqësues të ambasadave, e që kanë për tematikë rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe shteteve të cilat prezantohen në panair si dhe trajtimin e temave me interes nga fusha e ndërtimit, planifikimit, energjisë alternative, ruajtjes së ambientit, etj.

Organizator i këtij panairi është CEO-Congress & Event Organization.

Fakte

Pjesë aktive e panairit janë edhe: APIK (Agjencioni për Promovimin e Investimeve në Kosovë), Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, OEDSH, AËEX (Agjencioni i Valonisë për Tregti të Jashtme dhe Investime, Belgjikë), Oda Ekonomike e Selanikut, Oda Ekonomike për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme e Selanikut, Oda Ekonomike e regjionit Larisa, Panairi Ndërkombëtar i Selanikut, Oda Ekonomike e Austrisë, Oda Ekonomike e Kroacisë, Oda Ekonomike për Tregti dhe Zejtari e Kroacisë, Agjencioni Shtetëror për Investime dhe Tregti (HITA) nga Hungaria, Agjencioni Shtetëror Çek për Promovimin e Tregtisë/CzechTrade, Konfederata e Industrisë nga Republika Çeke, Oda Ekonomike e Çekisë, Oda Ekonomike Kosovaro-Turke, si dhe shumë shoqata të profesionistëve, si Shoqata e Arkitektëve të Kosovës etj.

 © albinfo.ch