Kosova
Gjykata e Ferizajt cakton paraburgim për gjashtë persona të dyshuar për vrasjen e rreshterit të Policisë
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik. Të dyshuarit H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G. po përballen me akuzën për veprën penale “vrasje e rëndë”, shkruan albinfo.ch.
Sipas njoftimit të gjykatës, rreth orës 23:00 më 1 prill, viktima—rreshteri M.L.—u vra me armë zjarri në hyrje të banesës së tij, pak pasi kishte përfunduar orarin e punës në Stacionin Policor të Kaçanikut. Sipas hetimeve të deritanishme, vrasja ishte planifikuar dhe organizuar paraprakisht, ku i mituri, i përfshirë në rast, kishte shtënë me armë ndaj viktimës, duke e lënë të vdekur në vend.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar katër gëzhoja të kalibrit 9×19 mm. Vdekja e zyrtarit policor u konstatua në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, transmeton albinfo.ch.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje, dhe secili ka pasur rol specifik në ndjekjen dhe vëzhgimin e viktimës. I mituri, pas kryerjes së veprës penale, u largua nga vendi i ngjarjes dhe u takua me të dyshuarin R.M., me të cilin u largua me shpejtësi drejt një lokali në qytet. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë kapur H.B. duke e ndjekur rreshterin Lika që nga dalja nga stacioni policor.
Hetimet zbuluan edhe përfshirjen e të tjerëve, të cilët kishin marrë pjesë në vëzhgimin e vendit të ngjarjes dhe ndjekjen e viktimës me dy automjete – një “Opel Astra” dhe një “Golf II”. Sipas aktakuzës, D.G. ka ndihmuar të miturin pas vrasjes, duke e strehuar dhe furnizuar me ushqim e sende të tjera.
Gjykata i arsyetoi masën e paraburgimit me rrezikun e arratisjes, ndikimit te dëshmitarët dhe mundësinë e përsëritjes së veprës penale.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, shkruan albinfo.ch.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dy shqiptarë arrestohen pas ndjekjeje të rrezikshme në autostradën A15 në Itali Ndjekje spektakolare në A15, arrestohen dy shtetas shqiptarë... -
Itali
Projekti “Biblioteka shqip” pasuron bibliotekat në jug të Italisë me libra në gjuhën shqipe -
Pikat kufitare: Pritje jo më të gjata se 20 minuta për të dalë nga Kosova -
Chair Airline nis fluturimet direkte Vlorë-Cyrih -
Votat e diasporës i sigurojnë VV-së edhe një mandat, PDK humb një deputet
Jeta në Austri
-
Festat zyrtare austriake dhe pushimet shkollore për vitin 2026 Festat zyrtare të Austrisë 2026 dhe pushimet shkollore të Vjenës 2025/26. Kalendari i plotë me... -
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja











