Opinione

Gjermanishtja në botë: Ku flitet dhe sa folës ka?

Numri gjithmonë në rritje i mërgimtarëve nga të gjitha anët e trojeve tona, mendohet të jetë tanimë mbi 1 milion, që punojnë dhe jetojnë në vendet gjermanishtfolëse, është një ndër arsyet shtesë për ne, që të mësojmë dhe zotërojmë gjermanishten. Njohja dhe përdorimi paralel i të dy gjuhëve është në interes të dyanshëm, një mundësi shtesë për të dyja palët, por mbi të gjitha edhe një nxitje për të ruajtur gjuhën shqipe në këta vende

Gjermanishtja, sikurse anglishtja, bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane dhe është njëra prej gjuhëve të grupit gjermanik. Ajo renditet ndër gjuhët më të rëndësishme botërore dhe është e 12-ta për nga numri i folësve, me mbi 134 milionë njerëz që e flasin si gjuhë amtare ose gjuhë të dytë. Pas rusishtes, gjermanishtja mbetet gjuha e dytë më e folur në Europë (rreth 100 milionë) dhe gjithashtu ka numrin më të madh të folësve që e kanë atë si gjuhë amtare brenda Bashkimit Europian, në shtatë shtete. Në vendet gjermanishtfolëse, natyrisht, gjendet numri më i madh i folësve të saj: mbi 80 milionë në Gjermani, mbi 8 milionë në Austri, mbi 5,5 milionë në Zvicër. Në Lihtenshtajn (Liechtenstein) gati e tërë popullsia, rreth 40 mijë banorë, flet gjermanisht.

Kemi edhe këta tre shtete ku gjermanishtja ka një status të veçantë. Në Luksemburg, gjermanishtja është një nga gjuhët zyrtare, krahas frëngjishtes dhe flitet nga rreth 520 mijë banorë (rreth 78% e popullsisë), si gjuhë e parë, e dytë ose e tretë. Gjithashtu një rol të veçantë ka edhe Lëtzebuergesch (luksemburgishtja), që prej vitit 1984 është gjuhë kombëtare me status zyrtar dhe përdoret gjerësisht në jetën e përditshme, arsimin fillor dhe media. Sot rreth 49 për qind e popullsisë e kanë atë si gjuhë kryesore. Megjithëse për një kohë të gjatë, madje disa ende e mbajnë si pjesë të një dialekti të gjermanishtes, luksemburgishtja në dyzet vitet e fundit është zhvilluar si gjuhë më vete, me ndikime të dukshme nga frëngjishtja, duke u shndërruar në shenjë të identitetit kombëtar të vendit. Në veri të Italisë, në Tirolin e Jugut (Südtirol), një krahinë autonome, me mbi gjysmë milion banorë, rreth 70% e popullsisë, mbi 350 mijë folës, gjermanishtja këtu krahas italishtes është gjuhë zyrtare. Në shtetin federal të Belgjikës, ndarë në tre rajone, në lindje të vendit, ka një Bashkësi Gjermanishtfolëse (Die Deutschsprachige Gemeinschaft/Ostbelgien), me rreth 80 mijë folës, më pak se 1% e popullsisë së vendit, ku kanë një autonomi dhe të drejta të përdorimit zyrtar të saj.

Edhe në Francë, kryesisht në rajonin Elsass dhe në verilindje të Lothringen-it, thuhet se janë mbi 1.2 milionë folës të gjermanishtes, të një dialekti jugperëndimor të saj, pa ndonjë status të përdorimit zyrtar.

Si pasojë e migrimit të njerëzve nga vendet gjermanishtfolëse në Amerikë dhe në kontinentet tjera, gjatë shekullit XVIII dhe XIX, kemi përhapje të gjermanishtes edhe jashtë Europës. Sidomos të njohura janë bashkësitë gjermane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, Brazil, Argjentinë dhe në Namibi. Në Amerikën Veriore jetojnë rreth 1.4 milionë gjermanishtfolës, ndërsa në Amerikën Jugore janë më shumë se gjithsej 2.2 milionë të tillë. Në Europën Qendrore dhe Lindore pakicat gjermanishtfolëse në Poloni, Hungari, Rumuni, Kazakistan etj., kanë ruajtur gjuhën e tyre ndër breza.

Në 42 shtete të botës ka mbi 7.6 milionë njerëz që janë pjesë e pakicës gjermane, mbi 55 milionë të tjerë e flasin gjermanishten si gjuhë të dytë apo të tretë.

GJERMANISHTJA NË KONTEKSTIN NDËRKOMBËTAR

Gjithsesi pesha e vendeve dhe numri i folësve që e flasin, rrisin vlerën e një gjuhe dhe janë arsye shtesë për ta mësuar dhe studiuar atë. Por në anën tjetër, fakti që gjermanishtja është gjuhë zyrtare dhe një ndër gjuhët më të rëndësishme të punës në institucionet ndërkombëtare, si Bashkimi Europian, OSBE dhe të disa organizatave të OKB-së, ia shton vlerën kësaj gjuhe. Në shkencë, gjermanishtja ka pasur ndër shekuj një vend të veçantë, sidomos në shkencat natyrore dhe humane. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX ajo vlerësohej si gjuha botërore e shkencës. Por edhe sot rëndësia e gjermanishtes në fushën e publikimeve shkencore, përmes botimeve profesionale në revista të njohura ndërkombëtare, mbetet e një rëndësie të veçantë.

Në njërin prej shkrimeve tona për këtë temë: “Përse duhet të mësojmë dhe studiojmë gjuhën gjermane” (https://koha.mk/perse-duhet-te-mesojme-dhe-studiojme-gjuhen-gjermane), përmendim ndër të tjera këto arsye: Mundësitë e punësimit (në Gjermani, Austri dhe Zvicër), shkollimi (në universitetet me renome të hapësirës gjermanishtfolëse) dhe interesat kulturore (gjermanishtja si gjuhë e letërsisë botërore, gjuhë e shkencës).

Janë edhe dy arsye thelbësore, për ne shqiptarët, përse ka rëndësi shtesë gjermanishtja: Studiuesit austro-gjermanë që nga shekulli XIX janë themeltarë të shkencave albanologjike, në kuptimin e gjerë të fjalës, në fushë të historisë, gjuhës, letërsisë, antropologjisë, etnologjisë etj. Edhe në ditët e sotme, ka qendra të studimit dhe studiues tepër të shquar, me mbështetje dhe infrastrukturë institucionale, me përgatitje të kompletuar profesionale, në vendet gjermanishtfolëse, në qytete si Vjena, Munihu, Regensburgu, Jena, Berlini, Cyrihu etj., që merren me shkencat albanologjike, ku shquhen për rezultate të nivelit më të lartë, që për nga rëndësia, arritjet dhe qasja e ndryshme metodologjike dhe paanshmëria ideologjike, rrallë i gjejmë në kryeqendrat tona albanologjike: Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Shkup, Tetovë.

Leximi dhe studimi i tyre në origjinal, pasi një pjesë e madhe e tyre ende nuk janë përkthyer në shqip, përmes zotërimit të gjermanishtes, edhe sot e gjithë ditën, ofron mundësi shtesë të pasurimit dhe ngritjes së nivelit të studimeve albanologjike te ne.

Numri gjithmonë në rritje i mërgimtarëve nga të gjitha anët e trojeve tona, mendohet të jetë tanimë mbi 1 milion, që punojnë dhe jetojnë në vendet gjermanishtfolëse, është një ndër arsyet shtesë për ne, që të mësojmë dhe zotërojmë gjermanishten. Njohja dhe përdorimi paralel i të dy gjuhëve është në interes të dyanshëm, një mundësi shtesë për të dyja palët, por mbi të gjitha edhe një nxitje për të ruajtur gjuhën shqipe në këta vende.

GJERMANISHTJA SI GJUHË E HUAJ

Në vitet e fundit është rritur dukshëm numri, sidomos në hapësirën shqipfolëse dhe në rajon, i atyre që mësojnë gjermanishten si gjuhë të huaj. Në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, gjermanishtja krahas anglishtes, është gjuha e huaj që mësohet më së shumti në shkolla dhe universitete, por edhe jashtë tyre, për arsye të tregut të punës, mësohet privatisht në shkollat e gjuhëve të huaja, madje më shumë se anglishtja.

Në tërë BE-në, përjashtuar këtu vendet ku gjermanishtja është gjuhë zyrtare: Gjermania, Austria, Zvicra, Luksemburgu, mbi 7% e popullsisë kuptojnë gjermanisht, më së shumti në Holandë, me 49 %, vijuar nga Danimarka me 34 % dhe Sllovenia me 27 %, si dhe në vendet fqinje me shtetet gjermanishtfolëse, më shumë në Europën Lindore se në atë perëndimore.

Sipas studimeve të gjermanistit dhe sociolinguistit gjerman prof. Ulrich Ammon, rreth 300 milionë njerëz, në tërë rruzullin tokësor, kanë mësuar ndonjëherë gjermanisht, pa përllogaritur çështjen se në çfarë niveli e kanë zotëruar atë. Ammon në një ndër kryeveprat e tij në këtë fushë, të vitit 2015, “Die Stellung der deutschen Sprache in der Welt” (Pozita e gjuhës gjermane në botë), përmend se janë rreth 14,5 milionë njerëz. Nga të dhënat e mbledhura prej Institutit Gëte (Goethe-Institut), del se janë madje mbi 15,5 milionë njerëz në të gjithë botën që mësojnë gjermanisht; 90 % prej tyre janë nxënës, ndërsa 10 % të rritur. Me këtë gjermanishtja mbetet njëra nga katër gjuhët e huaja që mësohen më së shumti në botë, krahas anglishtes, frëngjishtes dhe spanjishtes.

Në Azi kemi shtim të numrit të atyre që mësojnë gjermanisht, për shkak të tregut të punës, ndërlidhjeve të shtuara ekonomike me vendet gjermanishtfolëse: Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën dhe Luksemburgun. Bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e ekonomisë, teknikës, teknologjisë dhe shkencës, gjithsesi se mbështet përdorimin e gjuhës gjermane. Përmes digjitalizimit dhe platformave online të mësimit edhe gjermanishtja mund të mësohet më lehtë.

Një aspekt i rëndësishëm për shpjegimin e përhapjes së gjermanishtes në mbarë botën është edhe planifikimi dhe politika e duhur gjuhësore. Në njërën prej veprave të shumta të profesorit të Universitetit të Vjenës, Hans-Jürgen Krumm (2021): “Sprachenpolitik. Deutsch als Fremd- und Zweitsprache” (Politika gjuhësore. Gjermanishtja si gjuhë e huaj dhe e dytë), theksohet fakti se mësimi dhe mbështetja e gjermanishtes gjithmonë janë rezultat i masave të qëllimshme të politikës gjuhësore. Pra, arsyet kryesore pse rritet interesi për gjermanishten, nuk qëndrojnë vetëm te numri i folësve të saj, por te ndikimi i institucioneve si Goethe-Institut, DAAD, OeAD, shkollat gjermane, universitetet dhe programe ndërkombëtare të vendeve gjermanishtfolëse, të cilat ndikojnë vazhdimisht, drejtpërdrejt në rritjen e interesit për gjuhën gjermane. Me këtë ndërlidhen edhe interesat politike, ekonomike dhe kulturore me shtetet ku flitet kjo gjuhë. Rëndësia e gjermanishtes si gjuhë e huaj dhe si gjuhë e dytë shfaqet, pra, në një ndërthurje të politikave arsimore dhe integruese, të shkëmbimit kulturor dhe të pozitës së Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës në Europë dhe në botë.

Ja edhe një fakt që e bën gjermanishten të veçantë; ajo shquhet edhe për pasurinë leksikore dhe aftësinë e saj fjalëformuese; sidomos me kompozitat, nëpërmjet bashkimit të emrave formohen lehtë fjalë të reja. Sipas studimeve të gjuhëtarëve të Akademisë në Berlin, para rreth një dekade, gjermanishtja numëron mbi 5,3 milionë forma të fjalëve. Në vitin 2017, Redaksia DUDEN, mbështetur në një korpus tepër të pasur digjital të teksteve (profesionale dhe letrare), prej mbi 40 mijë librave, kumtoi se në këtë korpus të gjermanishtes gjenden disa milionë forma të fjalëve. Disa botime më të reja të Fjalorit të gjuhës gjermane DUDEN janë me mbi 145 mijë fjalë, ndërsa një folës mesatar i gjermanishtes, varësisht nga përdorimi aktiv apo pasiv dhe niveli i arsimimit, përdor vetëm 10 mijë deri 20 mijë fjalë.

Gjermanishtja tanimë nuk është vetëm një gjuhë europiane. Ajo flitet, mësohet dhe përdoret në të gjithë kontinentet, si gjuhë e parë, e dytë dhe e huaj. Për shoqëritë tona shqiptare, gjermanishtja ofron mundësi shtesë për punësim, arsimim dhe shkëmbim, si dhe ndihmon në ndërlidhjen kulturore në mes të dy hapësirave gjuhësore, të asaj gjermane dhe shqipe.

(Prof. dr. Izer Maksuti, profesor në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup)