Kosova

Gjermania pret që Kosova e Serbia të kenë gatishmëri për kompromise në dialog

Gjermania pret që Kosova e Serbia të kenë më shumë gatishmëri për kompromise në dialogun mes dy shteteve, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një takim me përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Situata e pazgjidhur në mes të Kosovës dhe Serbisë është shkaktare e vazhdueshme e tensioneve – targat e veturave ose distribuimi i energjisë. S’mund ta lejojmë më gjatë këtë. Po i mban dy shtetet dhe të tërë rajonin prapa. E dimë të gjithë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse që sjell normalizim të plotë, një ditë duhet të arrihet. Prandaj përse të shtyhet ‘kjo ditë’ edhe më tutje? Qeveria e Gjermanisë mbështet plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në këtë aspekt. Dhe ne presim më shumë gatishmëri për kompromis në të dyja anët”, ka thënë Baerbock.

Baerbock po ashtu u ka bërë thirrje përfaqësuesve evropianë që të veprojnë për liberalizim të vizave.

“Ne, si BE, duhet të lëvizim për ato që i kemi premtuar qe një kohë të gjatë – liberalizimin e vizave për Kosovën. Javën e shkuar, Komisioni Evropian rikonformoi rekomandimin e 2018-s që të lëvizë përpara. U bëj thirrje të gjithë partnerëve në BE të lëvizin më në fund. Kemi dhënë premtim si BE – dhe duhet ta realizojmë”, ka thënë ajo.