Lajme

Gjermanët lobojnë për Kosovën

Guido Westerwelle: Diplomacia gjermane do të angazhohet fuqishëm në përkrahjen e diplomacisë kosovare

Diplomacia gjermane do të angazhohet fuqishëm në përkrahjen e diplomacisë kosovare në përpjekjet për të shtuar numrin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

 

Këtë premtim e ka dhënë ministri Federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle gjatë një takimi me homolgun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë.

Westerwelle, po ashtu, ka thënë se Gjermania do të ndikojë te pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që sa më parë të marrin një vendim të tillë dhe se Gjermania do të ndihmojë Kosovën edhe sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.

 

Ministri Federal i Punëve të Jashtme ka shprehur përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa ka ofruar edhe përkrahje edhe për zhvillimin ekonomik.

 

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar Ministrin Westerwelle për qëndrimet e qarta mbështetëse rreth të gjitha proceseve në Kosovë, veçanërisht rreth perspektivës evropiane të shtetit të Kosovës.

 

Hoxhaj ka thënë se adresa e parë politike në Evropë për Kosovën dhe qytetarët e saj është Berlini.

 

Rreth proceseve integruese të Kosovës, Hoxhaj ka thënë shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Westerwelle, kanë nënshkruar një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes dy diplomacive.