Lajme

Gjenevë: Dhjetë nga njëmbëdhjetë institucione kishin mangësi në sigurinë nga zjarri

Kontrolle të rrepta sigurie në Gjenevë: shumica e bareve dhe klubeve me mangësi serioze

Policia e zjarrfikësve të Gjenevë ka konstatuar mangësi serioze të sigurisë gjatë inspektimeve të fundit në bare dhe klube nate. Sipas autoriteteve, 10 nga 11 lokalet e kontrolluara nuk i përmbushnin rregulloret në fuqi, përcjell albinfo.ch.

Si pasojë e shkeljeve të evidentuara, në disa prej lokaleve janë hequr dekorimet dhe është urdhëruar ulja e kapaciteteve për arsye sigurie. Kontrollet janë intensifikuar pas katastrofës së zjarrit në Crans-Montana, një ngjarje që ka ngritur shqetësime të mëdha mbi standardet e sigurisë në ambiente publike.

Që prej asaj ngjarjeje, Policia e Zjarrfikësve të Gjenevës ka zhvilluar kontrolle të paparalajmëruara në mjedise argëtimi nate, duke evidentuar se shumica e institucioneve të inspektuara paraqesin probleme serioze në aspektin e sigurisë kundër zjarrit.

Në Gjenevë operojnë rreth 250 bare dhe 40 klube nate, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe respektimin e ligjit. /Albinfo.ch