Kosova

Gjenerata që sakrifikoi gjithçka për atdhe

Teksa po lexoja një artikull të botuar nga albinfo.ch në vitin 2023, kushtuar gjeneratës së parë të emigrantëve shqiptarë në Zvicër, nuk mund të mos ndalesha dhe të vlerësoja admirim për punën që ky portal e revistë ka bërë në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive. Albinfo, përmes shkrimeve të tilla, nuk lë në harresë historitë e njerëzve të zakonshëm, në veçanti të emigrantëve shqiptarë në Zvicër të cilët me mund, djersë dhe sakrifica të jashtëzakonshme shkruan kapitujt më të vështirë e më fisnikë të mërgatës sonë.

Sigurisht, mendova me veten autorëve të këtij reportazhi iu është dashtë shumë kohë e mund për përgatitjen e këtij reportazhi që rrëfen mbi gjeneratat e para të migrimit në Zvicër. Dhe aty dukej qartë se albinfo nuk kishte harruar as detajet më të vogla të një teme kaq të ndjeshme siç ishte mërgimi dhe përvoja e gjeneratave të para të mërgimtarëve.

Teksa vazhdoja leximin me kureshtje, më dukej sikur po hapja një kapitull të kujtimeve të mia personale, duke shfletuar faqet e një libri të pashkruar.

Sakrifica më e theksuar

Nëse prej të gjitha dhimbjeve që sjell mërgimi ka një që lë plagë të pashërueshme në zemër, ajo është pikërisht kjo gjeneratë. Gjenerata e parë e mërgimtarëve, pjesë e së cilës ishte edhe babai im.

Sakrificat e tyre për familjen dhe atdheun janë aq të mëdha, sa shpesh duket se nuk ka fjalë që mund t’i përshkruajnë.

Ky ishte brezi që mbajti mbi supe barrën më të rëndë historike. Ata përjetuan dhe përkrahën hapjen e universitetit në 1970-ën, demonstratat e vitit 1981, sprovat e skamjes gjatë viteve ’90, kur shqiptarët u përjashtuan nga puna dhe u detyruan të emigronin për të mbijetuar.

Ata që mbetën në Kosovë, shpëtuan falë ndihmës së pakursyer të mërgatës.

Dhe kur erdhi koha e luftës çlirimtare 1998–1999, ishin pikërisht këta mërgimtarë që për vite të tëra përgatitën terrenin, kontribuuan me mund e djersë, derisa arma u bë realitet në dorën e luftëtarit.

Dora e tyre e lodhur dhe e gjakosur nuk u ndal as pas luftës, kur nisi etapa tjetër historike e ndërtimit të shtetit, ku ata prapë kontribuuan pa hezitim.

Por ajo që e bën këtë brez kaq të dhimbshëm për mua është fakti se ata nuk e shijuan kurrë jetën e tyre personale. Nuk shkuan në pushime, nuk panë detin apo malet në kohë të lirë, nuk morën familjet në udhëtime a vila siç bëjnë sot brezat tanë.

Çdo kursim, çdo mundim, çdo ëndërr ia kushtuan atdheut dhe shkollimit të fëmijëve, dhe këtë e bënë pa llogaritur kurrë veten apo dëshirat e tyre.

Brezi që gjatë do të jetojë në kujtesën kolektive

Gjenerata e babait tim është sinonim i një epoke sakrifice të pashoqe. Ata e vunë tërë qenien e tyre shpirtërore dhe jetësore në shërbim të kombit.

Sot, kur ne gëzojmë frytet e lirisë dhe mundësitë si shqiptarë, në vendlindje dhe në diasporë, nuk duhet harruar se kjo e ardhme është ngritur mbi supet e tyre.

Brezi i parë i mërgimtarëve është brez që i kushtoi jetën atdheut pa kërkuar lavdi e pa pritur shpërblim. Me veprën e tyre bënë të mundur që gjeneratat pasuese të kenë një jetë më të mirë.

Ata trasuan rrugën dhe ndërtuan urat mbi të cilat sot ecin bijtë, nipat e mbesat e tyre të integruar në Zvicër si intelektualë, gazetarë, politikanë, afaristë, bankierë, policë, mjekë e drejtues të spitaleve e klinikave më të njohura në Evropë.

Ky brez la pas vetes një gjeneratë për t’u krenuar, një gjeneratë që me mburrje kujton ata që sakrifikuan jetën e tyre për dy atdhe: Kosovën dhe Zvicrën.

Prandaj, kujtimi dhe mirënjohja jonë ndaj tyre duhet të mbetet e përhershme.

Kujtimi për mërgimtarët e hershëm nuk do të zbehet kurrë. Ata do të kujtohen gjithmonë për kontributin dhe sakrificën e tyre, ashtu siç vazhdon të bëjë edhe albinfo.

Respekt dhe nder!

Për albinfo: Emrush T.Shkodra

 

Lexoni po ashtu:

Tre breza të shqiptarëve në Zvicër: Dikur krahë pune, e sot…?

Lexoi po ashtu:

Tre brezat e shqiptarëve në Zvicër, në fokus të numrit të ri të albinfo.ch