Lajme

Gazetarët kosovarë bojkotojnë institucionet

Në shenjë pakënaqësie, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj, gazetarët do ta bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës

Gazetarër kërkojnë kthimin në Kuvend të Kodit të ri penal, pasi sipas tyre, nenet 37 dhe 38 cenojnë lirinë e shprehjes.

“Bojkot, sepse liria e shtypit nuk negociohet.

Bojkot, sepse me Kodin e ri Penal, liria e shtypit fundoset.

Bojkot, sepse Kodi i ri Penal duhet të rikthehet në Kuvend dhe nenet 37 e 38 duhet të hiqen”, thuhet në vendimin e marrë për bojkot nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës (AGPK) .

Organizata të ndryshme ndërkombëtare të gazetarëve vazhdojnë të reagojnë ndaj miratimit të Kodit Penal, përkatësisht, dy neneve që cenojnë lirinë e mediave.  

Asociacioni i Gazetareve Profesionistë të Kosovës, Ditën e Lirisë së Shtypit, do ta shënojë më një sërë aktivitetesh që do të mbahen në kryeqytetin e Kosovës, në Kinemanë ABC dhe sheshin në qendër të Prishtinës.

Në mesin e tyre ka debate, tryeza të rrumbullakëta, aktivitete kulturore, por do të shfaqet edhe një film dokumentar i përgatitur enkas për këtë ditë.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, organizon tryezë me temën: “Sfidat e tanishme të gazetarisë në Kosovë”.

Freedom House edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, por me një përparim modest duke ia dhënë notën 49 nga 51, sa e kishte në vitin e kaluar.

Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara, Serbia së bashku me Malin e Zi hyjnë në vendin e 75-të, Kroacia në të 83-tin, Bosnjë e Hercegovina në të 95-in, Kosova në vendin e 97, Shqipëria në vendin e 107 si dhe Maqedonia e fundit në atë të 115-in.