Shqipëria

Gazeta gjermane promovon Lumin e Shalës si një nga mrekullitë natyrore të Evropës

Media gjermane: Shqipëria ka “Tajlandën” e saj në Alpet veriore

Lumi i Shalës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi, agjencia gjermane e udhëtimeve “Reise Reporter” i ka kushtuar një artikull kësaj zone, duke e cilësuar si një nga destinacionet më mbresëlënëse natyrore në Evropë dhe duke e krahasuar me Tajlandën për nga bukuria e saj, transmeton albinfo.ch.

“Ujëra të kristalta që të rrëmbejnë, shkëmbinj të lartë dhe natyrë e paprekur – ajo që ju pret në lumin e Shalës në veri të Shqipërisë konkurron edhe Tajlandën”, shkruan mediumi gjerman, duke e përshkruar këtë zonë si një “perlë të natyrës evropiane”.

Sipas artikullit, lumi gjarpëron përmes një peizazhi spektakolar në Alpet Shqiptare, i rrethuar nga formacione të larta shkëmbore dhe gjelbërim i dendur. Ujërat me ngjyrë smeraldi, plazhet e vogla dhe varkat shumëngjyrëshe krijojnë një panoramë që, sipas autorëve, i ngjan destinacioneve tropikale.

Reise Reporter thekson se Lumi i Shalës është një degë e Liqenit të Komanit, ku derdhet pas rreth 35 kilometrash, duke përshkuar gryka të thella dhe zona të izoluara që tërheqin aventurierë dhe dashamirës të natyrës.

Për ata që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë se një vizitë njëditore, përgjatë brigjeve të lumit funksionojnë shtëpi mysafirësh të vendosura në mes të natyrës. Ato ofrojnë akomodim të thjeshtë gjatë sezonit veror, ndërsa rekomandohet rezervimi paraprak për shkak të interesimit të lartë.

Ndër aktivitetet më të preferuara për vizitorët janë noti në ujërat e kristalta, relaksimi në zonat e improvizuara të plazhit dhe eksplorimi i grykave përmes tureve me kajak apo varkë. Zona ofron gjithashtu mundësi për të zbuluar ujëvara dhe burime natyrore të fshehura mes shkëmbinjve.

Me këtë vlerësim nga media gjermane, Lumi i Shalës konfirmon statusin e tij si një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Shqipëri, duke forcuar imazhin e vendit si një pikë referimi për turizmin natyror në rajon. /Albinfo.ch