Sport

Fury, 25 kg më i rëndë se Seferi

Sot janë zhvilluar matjet zyrtare për meçin që zhvillohet të shtunën ndërmjet boksierit shqiptar Sefer Seferi dhe ish-kampionit të botës Tyson Fury.

Fury, ish-kampion bote në peshat e rënda, ka qenë rreth 25 kg më i rëndë se Seferi, duke konfirmuar se është në formë dhe gati për këtë duel. Britaniku rikthehet në ring 2 vjet e gjysmë pas sfidës së tij të fundit, atë ndaj Wladimir Klitschko, ku dhe mori titujt kampionë bote në peshat e rënda.

Diferenca e peshës mes dy boksierëve ishte mjaft e madhe. Fury peshonte 121 kilogramë, ndërsa Seferi 96 kilogramë, shkruan albinfo.ch.

Britaniku (25 fitore e asnjë humbje në karrierë) ka premtuar edhe një herë se është rikthyer për të rimarrë titujt kampionë bote në peshat e rënda, që nxori vakant pasi anuloi dy herë revanshin me Klitschko e më pas doli pozitiv me kokainë.

Për Seferin (23 fitore e një humbje si profesionist), kjo është përballja e dytë në peshën e rëndë (edhe të parën e ka humbur, e vetmja disfatë në karrierën e tij), një boksier që vjen nga pesha cruiserweight, ndaj dhe vihet re kjo diferencë e madhe në peshim.