Kosova

FSK në Gaza? Vendimi i takon Kuvendit

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.