Kosova

Frika e mbetjes pa punëtorë në Kosovë pas liberalizimit të vizave

Së fundmi, përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë deklaruan se shumë biznese nga frika e ikjes masive pas liberalizimit të vizave, kanë filluar që të marrin punëtorë nga vendet e huaja, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se pjesa më e madhe e këtyre punëtorëve vijnë nga vendet aziatike dhe Turqia. Ata kanë kërkuar që sipërmarrësit kosovarë t’i ngrisin standardet për punëtorët e Qeveria ta subvencionojë sektorin privat, në mënyrë që me rritje pagash të mos largohen punëtorët.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se deri më tani në Kosovë kanë ardhur 500 punëtorë të huaj, nga Turqia dhe Bangladeshi, në mungesë të fuqisë punëtore vendase.

Shahini tha se me liberalizimin e vizave, i cili pritet të bëhet më 1 janar 2024, vendin mund ta lënë një numër i madh i punëtorëve.

“Liberalizimi i vizave në Kosovë do të marrë me veti nga një janari 2024 një numër të madh të punëtorëve, por edhe njerëz të tjerë që nuk janë në punë, shqetësimi më i madh është i tregut të punës, ku mesatarisht neve na ikin edhe sot mbi 50 mijë veta me viza të punës. Kurse pas datës një janar ne do të kemi më shumë të interesuar për të gjetur një jetë më të mirë. Por, në këtë rast me siguri që ndërmarrësit kosovarë nuk do të rrinë duarkryq, do të bëjnë zgjidhje dhe janë duke bërë zgjidhje për të gjetur krahë të punës, fuqi punëtore nga vendet e ndryshme të botës dhe sidomos nga vendet e Azisë. Me këtë rast kemi një numër të konsiderueshëm të punëtorëve që kanë ardhur nga Turqia, nga Bangladeshi dhe, sipas shënimeve tona, brenda një periudhe të shkurtër kanë hyrë në treg të punës rreth 500 punëtorë të huaj, të cilët janë duke punuar në Kosovë në mungesë të fuqisë punëtore kosovare”, tha ai.

Kryetari i AKB-së tha së në mënyrë që të parandalohet ikja e punëtorëve nga vendi, sipërmarrësit vendas duhet që të ngrisin standardet dhe kushtet e punës për punëtorët.

E sipas tij, qeveria duhet ta subvencionojë më shumë sektorin privat, në mënyrë që ata t’i ngrisin rrogat për punëtorët.

“Ne si AKB kemi bërë thirrje tek sipërmarrësit kosovarë që ata të ngritin standardet më të larta për punëtorët aktualë, t’i ngritin pagat, kushtet e punës në mënyrë që me çdo kusht t’i mbajmë punëtorët aktualë aktivë që janë në punë. E dyta, i kemi ftuar institucionet e Kosovës që të subvencionojnë më shumë sektorin privat, sidomos tek pagat, në mënyrë që të kemi rritje të pagës, sepse dallimi mes pagës së sektorit privat dhe publik është i lartë dhe kjo e bën që të mos jenë të barabartë në paga punëtorët e një profesioni të njëjtë. Kjo do t’i ndihmonte punëtorët, por edhe do të ulëte interesimin e njerëzve për të ikur nga Kosova”, tha ai për EO.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se mungesa e punëtorëve është duke u ndier në të gjithë sektorët, por sipas tij, situata ende nuk është në atë stadin për t’u shqetësuar.

“Kjo jo vetëm në hoteleri dhe turizëm, por edhe në veprimtaritë tjera ndihet kjo mungesa e punëtorëve, por ende mund të them lirisht që nuk jemi në atë stadin e lartë që të shqetësohemi aq shumë, sepse edhe në kohën e diasporës që i patëm në Kosovë, edhe pse është ndier nevoja për më shumë punëtorë, megjithatë të gjitha subjektet hoteliere në forma të ndryshme janë gjetur dhe nuk kemi ndonjë shqetësim në lidhur me këtë”, tha ai.

Sogojeva tha se shumë kompani nga frika se shumë punëtorë mund të largohen pas liberalizimit të vizave, janë duke nënshkruar kontrata për sjelljen e punëtorëve nga vendet e huaja.

Sipas tij, këta punëtorë vijnë nga vendet aziatike, Turqia por edhe nga disa vende të tjera.

“Vetë fakti që pritet që në janar të kemi liberalizimin e vizave dhe t’u jepet mundësia të dalin, do të thotë në një farë forme secila kompani është duke menduar se çka pas dy janarit të vitit të ardhshëm, nëse do të kishte një migrim më të madh të popullatës, e sidomos këtyre të rinjve. Kemi informata nga krejt Kosova se disa kompani tashmë kanë nënshkruar kontrata për sjelljen, sidomos atyre profesioneve deficitare që edhe sot janë prezentë. Kemi informata që prej vendeve aziatike zakonisht, por kemi edhe prej Turqisë, sidomos kuzhinierët janë duke ardhur më të madhe, ka disa që janë me standarde më të larta që marrin edhe prej Italisë, por kjo veç ka filluar si trend dhe kjo si rezultat i asaj që pritet pas janarit të kemi një fluks të largimit. Secili biznes i gjen format e veprimit, për shembull, ka raste që disa biznese janë duke menduar edhe në kalimin e sistemit të vetëshërbimit. Do të thotë që vetë të shërbehen, kjo i mundëson që me një punëtor të zëvendësohen 3-4 punëtorë”, tha ai.

Ai bëri thirrje që qeveria t’u dalë në ndihmë bizneseve me mjete financiare që ata t’ua rrisin pagat punëtorëve, kështu që ata të mos e lëshojnë vendin.

“E para duhet që t’u ndihmohet këtyre bizneseve që të punojnë që të kenë një stabilitet në biznesin e vet. Në momentin kur është stabil, ai mendon të kemi edhe rritjen e pagave tek punëtorët. Në momentin kur kemi rritjen e pagave të punëtorëve, unë jam i bindur që nuk kanë llogari edhe të rinjtë që të shkojnë për 1700 euro të punojnë diku jashtë, nëse këtu i bëhet një pagë e mirë, kur dihet që atje ka shpenzime të tjera, si qeraja”, tha ai.