Lajme

Formohet Grupi i Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Evropian

“Sot ka qenë një ditë e veçantë në Parlamentin Evropian meqë është themeluar grupi i miqësisë në mes të Parlamentit Evropian dhe Kosovës, që do të jetë një platformë e mirë e mbështetjes së Kosovës në agjendën evropiane”, ka thënë ministri Hoxhaj

Me iniciativën e eurodeputetes Ulrike Lunaçek, sot në Bruksel është themeluar Grupi i Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Evropian. Kjo ide është konkretizuar në ditën e dytë të vizitës zyrtare të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili gjithashtu ka zhvilluar një sërë takimesh me deputetë të Parlamentit Evropian.

Ministri Hoxhaj falënderoi eurodeputeten Ulrike Lunacek dhe euro-deputetët e tjerë për bashkëpunimin dhe konkretizimin e kësaj ideje të nisur muaj më parë.

“Sot ka qenë një ditë e veçantë në Parlamentin Evropian meqë është themeluar grupi i miqësisë në mes të Parlamentit Evropian dhe Kosovës, që do të jetë një platformë e mirë e mbështetjes së Kosovës në agjendën evropiane. Ndërsa, kam pasur mundësinë edhe që të raportoj për zhvillimet në Kosovë pranë Komisionit për Politikë të Jashtme, dhe të kërkoj mbështetjen e shumë deputetëve të parlamentit evropian për liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas një komunikate për media lëshuar nga MPJ, eurodeputetja Lunacek ka vlerësuar se formimi i Grupit të Miqësisë është një ngjarje e rëndësishme pasi që mund të zhvillohen takime dhe debate jo formale për tema të ndryshme të rëndësishme.

“Formimi i Grupit të Miqësisë është i rëndësishëm sepse nënkupton që do të ketë mundësi të zhvillohen takime dhe debate joformale me njerëz si ministri Hoxhaj, apo shefat e Komisioneve Parlamentare për Integrime dhe Punë të Jashtme ku do të mund të diskutohen temat në mënyrë më joformale”, ka deklaruar Lunacek.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Njomza Emini  dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica e kanë vlerësuar të rëndësishëm formimin e këtij grupi dhe nevojën e bashkëpunimit sa më të afërt me europarlamentarët.