Lajme

FOEN paralajmëron për rreziqet klimatike në Zvicër

Zvicra po përballet me një rritje të ndjeshme të rreziqeve që lidhen me klimën, paralajmëroi drejtoresha e Zyrës Federale për Mjedisin (FOEN), Katrin Schneeberger, në një intervistë të transmetuar të dielën nga SonntagsBlick, transmeton albinfo.ch.

Sipas saj, fatkeqësitë natyrore si rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet po intensifikohen, ndërsa vendi bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm për shkak të dendësisë së lartë të popullsisë dhe shtrirjes urbane.

Një nga problemet më të mëdha është shkrirja e ngricës së përhershme në Alpe, e cila po ndikon rëndë në stabilitetin e maleve, duke rritur rrezikun për rënie shkëmbinjsh dhe rrëshqitje dheu. “Ngrohja globale prek jo vetëm Alpet, por edhe zonën e mesme të Zvicrës, qytetet dhe fshatrat, me pak fjalë, të gjithë ne,” theksoi Schneeberger.

Ndër problematikat më akute në mjediset urbane është paaftësia e sipërfaqeve të betonit për të thithur ujin gjatë reshjeve të dendura, çka, sipas drejtoreshës së FOEN, është shkaktar i afro gjysmës së dëmeve nga përmbytjet. Për më tepër, qytetet mezi ftohen gjatë natës, çka ndikon negativisht në shëndetin e banorëve, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

“Personalisht, nuk jam adhuruese e madhe e kondicionerëve,” tha ajo, duke theksuar se zgjidhje të thjeshta si perdet dhe grilat mund të bëjnë një diferencë të ndjeshme për freskimin e ambienteve të brendshme.

Për t’u përballur me këto sfida, FOEN ka lançuar programin Adapt+, i cili synon përshtatjen ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Programi teston masa si ftohja e sipërfaqeve rrugore dhe mbjellja e pemëve rezistente ndaj kushteve të reja klimatike për të mbrojtur infrastrukturën dhe komunitetet.

Schneeberger paralajmëroi se interesimi për programin është shumë i madh. “Kërkesa është shumë e fortë dhe në afat të mesëm mund të tejkalojë kapacitetin e financimit të disponueshëm,” tha ajo, duke sinjalizuar nevojën për angazhim më të madh në nivel kombëtar dhe kantonal, transmeton albinfo.ch.