Futboll

Foda pas humbjes nga Turqia: Nuk e lë Kosovën, qëllimi ynë mbetet Evropiani

Foda: Jemi të mërzitur deshëm të kualifikohemi

Selektori i Kosovës, Franco Foda, tha se disfata 1-0 në “Fadil Vokrri” ishte zhgënjyese, por konfirmoi se nuk ka ndërmend të largohet dhe se synimi i radhës është kualifikimi në Kampionatin Evropian, përcjell albinfo.ch.

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur pas humbjes zhgënjyese ndaj Turqisë, në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Turqia triumfoi me rezultat minimal 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke siguruar biletën për Botërorin 2026, ndërsa Kosova mbeti vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës historike.

Pas përfundimit të ndeshjes, Foda ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga posti i selektorit, duke theksuar se projekti i tij me Kosovën vazhdon dhe se objektivi kryesor mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian.

“Kam pasur arsyen time që kam ardhur te Kosova, qëllimi ishte Evropiani që të kualifikohemi, sonte dështuam. Çdo gjë ka shkuar më shpejt se ç’kemi menduar. Qëllimi ynë mbetet Evropiani”, ka deklaruar Foda për “RTK”.

Ai ka shtuar se ndihet mirë në Kosovë dhe se nuk e sheh largimin si opsion.

“Jo nuk e kam plan ta lë Kosovën, më pëlqen vendi dhe njerëzit”, u shpreh ai.

Foda ka theksuar gjithashtu se skuadra është e mërzitur pas eliminimit, por ka lënë të kuptohet se Kosova kishte mundësi reale për t’u kualifikuar edhe ndaj një kundërshtari të fortë si Turqia.

Sipas tij, pavarësisht zhgënjimit të madh, Kombëtarja duhet të rikthehet më e fortë dhe të fokusohet në objektivin e ardhshëm, që mbetet kualifikimi në Evropian./Albinfo.ch