Lajme

FMN: Kriza në eurozonë nuk e godet Kosovën

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka njoftuar se, për arsye të qasjes së kufizuar në tregjet financiare botërore, Kosova ka shmangur çrregullimet serioze të krizës që po e dridh eurozonën, megjithë faktin se euro është valutë zyrtare e Kosovës, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Në njoftimin që është postuar në ueb faqen e FMN-së, thuhet se “Kosova në masë të madhe ka mbetur e pa goditur me turbulencat financiare në zonën e euros, për shkak të integrimit të kufizuar në tregjet globale financiare”.

AP-ja, përkujton se 85 shtete të botës kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 dhe se anëtarësimi i saj në FMN ka rritur imazhin e saj ndërkombëtar.

Por, shton agjencia, FMN-ja në maj ka ulur statusin e Kosovës në këtë organizatë financiare në partneritet joformal, duke i shkurtuar mbështetjen financiare, kur Qeveria vazhdoi me rritjen e rrogave për shërbyesit civilë, megjithë restriksionet buxhetore.

Kosova ka rreth 2 milionë banorë, shumica shqiptarë, nga të cilët mjaft syresh kanë të afërm jashtë vendit, dhe të cilët ndihmojnë financiarisht fam,iljet në Kosovë, mirëpo, tërheq vërejtjen FMN-ja, sasia e këtyre parave sipas të gjitha gjasave do të zvogëlohet kur të ulen të ardhurat në eurozonë.

Kriza në eurozonë do të mund të reflektohej negativisht edhe në dërgimin e remitancave dhe në investime direkte të huaja, thuhet në njoftimin e FMN-së.

FMN-ja ka këshilluar Kosovën që ta shesë kompaninë e vet më profitabile Post-telekomin, por ky proces do të duhet të përsëritet pasi që disa blerës potencialë janë tërhequr nga tenderi as hetimit për korrupsion në këtë kompani.

Konsiderohet se Kosova është vbendi më i varfër në Evropë me përqindjen e papunësisë mbi 40 për qind, gjë që, si raporton AP, është pasojë e luftës së viteve 1998-99, si dhe e kundërshtimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që dekurajon investitorët e huaj.