Kultura

Flaka Jahaj, kreatorja e sukseshme në Zvicër

Flaka Jahaj është ndër të paktat vajza shqiptare që ka përfunduar studimet master për dizajn të modës. Puna e saj disa vjeçare është shpërblyer edhe me çmime të ndryshme në Zvicër dhe Francë

Flaka Jahaj, kreatorja e suksesshme në Zvicër

Flaka Jahaj është ndër të paktat vajza shqiptare që ka përfunduar studimet master për dizajn të modës. Puna e saj disavjeçare është shpërblyer edhe me çmime të ndryshme në Zvicër dhe Francë

Arben Gjinaj

E ka pasur ëndërr të bëhet kreatore. Këtë edhe e ka arritur. Flaka Jahaj është ndër të paktat shqiptare në Zvicër e cila ka përfunduar studimet master për dizajn të modës. Në moshën 8 vjeçare, vajza nga Prishtina shpërngulet së bashku me motrën dhe nënën e saj për të jetuar në Graubünden të Zvicrës.

Pas përfundimit të maturës në Cyrih, ajo zgjedh për ta studiuar Historinë e Artit. Një vit më vonë zhvendoset në Paris për të vazhduar studimet për dizajn të modës. “Në Paris e realizova ëndrrën time”, thotë Flaka për “albinfo.ch”.

Inspirim i ka veshjet e kulturës shqiptare

Dëshira për t`u marrë me dizajnë të modës, duket se nuk i ka lindur rastësisht. Ajo e ka ngapak edhe trashëgimi familjare: “Dizajnin e kam dashur që kur isha fëmijë, ndoshta e kam edhe trashëguar nga nëna ime. Që nga koha kur jetonim në Prishtinë, ajo të gjitha veshjet i dizajnonte vet. Edhe tash është shumë e interesuar rreth modës. Po ashtu edhe motra ime më e madhe ka përfunduar master në art në Cyrih e cila gjithashtu më ka udhëzuar që të mirrem më dizajn”, shprehet 32 vjeçja. Stili i dizajneve të saj është krejtësisht ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim, por Flaka thotë se inspirimin për kreacione e gjenë pikërisht te veshjet dhe kultura shqiptare.

“Kultura shqiptare ka qenë një inspirim i madh për mua, nga veshjet folklorike të gjysheve tona e deri të punimet e dorës kanë qenë të shkëlqyeshme. Duke e krahasuar kulturën artizanale shqiptare me kulturat tjera evropiane, kam vërejtur detaje të veçanta të kulturës sonë të cilat nuk i ka asnjë kulturë në botë. Prandaj kam vendosur që kulturën tonë ta avancoj dhe ta plasoj në kuptim modern të modes”, tregon Flaka e cila për dy vjet ka qenë asistente e dizajnerit Rick Owens në Paris prej nga, me preferencën e tij ka shkuar në Angli për të përfunduar magjistraturën për dizajn të modës.

Fituese e çmimit “Swiss Design Awards 2014”

Puna e palodhshme e saj dhe sukseset e arritura kanë bërë që Flaka të shpërblehet edhe më çmime të shumta nëpër Evropë. Ajo ka fituar çmimin e parë në një konkurrim në shkollën “Atelier Chardon Savard” dhe “Studio Bercot” në Paris. Ka bashkëpunuar me “Some/Things Magazine” me një koleksion punë dore për një set fotografish në Seoul me dizajnet e Songzios. Përvojë e jashtëzakonshme profesionale me Rick Owens në Paris, finaliste e Mercedes Benz Fashion Days Zurich, në Annabelle Award 2012 si dhe suksesi më i madh ishte vitin e kaluar ku ishte njëra nga fitueset e çmimit “Swiss Design Awards 2014”.

“Ka qenë për mua nder i madh që të fitoj ndoshta si e para shqiptare këtë çmim në Zvicër, kur dihet se arti dhe dizajni në Zvicër është i veçantë dhe kanë kritere të shumta” pohon Flaka për “albinfo.ch”.

Dizajnerët të cilët ajo i ka si model janë: Rick Owens, Raf Simons, Rei Kawakubo, Martin Margjela, ndërsa në dëshirat e saj për të ardhmën, është që të ketë bashkupinim me një shqiptare. “Janë disa emra me të cilët kisha pasur dëshirë të bashkëpunoj, por sigurisht që në mesin e tyre është Rita Ora. Ajo është një imazh i gjithë shqiptarëve në botë”.

Flaka është duke punuar rreth një koleksioni të ri i cili do të prezantohet në qershor në një galeri në Cyrih si dhe do ta prezantojë edhe në galerinë e motrës “iahai” në Prishtinë.

Më shumë infromacione: http://iahai.international/flaka/