Jeta në Zvicër

Fituese, Merkel, paqartësi rreth koalicionit

Partitë që kanë siguruar hyrjen në Parlament: CDU/CSU ka fituar 41,7% të votave, SPD 25,6%, Të Gjelbrit 8.3% dhe E Majta 8.6%

Fitore triumfale e konservatorëve dhe e Angela Merkelit

Gjermanët kane votuar sot për përbërjen e re të parlamentit federal, Bundestagut. Numri i njerëzve me të drejtë vote ishte 61,8 milionë, ndër ta tre milionë votues, që votonin për herë të parë.

Rezultatet, sipas prognozave të institutit për demoskopi “Infratest dimap”, e nxjerrin CDU/CSU-në fituese  41,7% të votave, që është reth 8 % më tepër se në vitin 2009. SPD fitoi 25,6% të votave, ose 2-3% vota më tepër se në vitin 2009. Të Gjelbrit kanë humbur 2,7% të votave në krahasim me vitin 2009 dhe kanë fituar vetëm 8,3% të votave, shkruan dw.de

Liberalët, FDP, kanë humbur rreth 10% në krahasim me vitin 2009 dhe me 4,7% të votave duket nuk do të arrijnë të hyjnë në parlamentin e ri. Partia e Majtë ka humbur 3,4% në krahasim me vitin 2009 dhe ka marrë 8,6% të votave. Kurse partia më e re, e cila kandidoi për herë të parë në këto zgjedhje Alternativa për Gjermaninë (AfD)duket se ka fituar 4,9% të votave.

Sipas këtyre përllogaritjeve CDU dhe CSU pritet të kenë në parlament 298 deputetë, SPD 181, E Majta 60 dhe Të Gjelbrit 58. Kështu Bashkimi CDU/CSU duket se ka arritur shumicën absolute dhe mund të qeveriste i vetëm. Nëse kjo do të ndodhë, nuk dihet ende.

Në këtë mënyrë në Gjermani mund të ketë sërish një koalicion të madh mes CDU/CSU dhe SPD-së. Teorikisht është i mundur edhe një koalicion mes CDU/CSU dhe ekologjistëve. Nga ana tjetër në rast se SPD, bashkohet në koalicion me Të Majtën dhe ekologjistët, ajo ka gjithashtu një shumicë në parlament.

Pjesëmarrja në votime ishte me 73% rreth 3 % më të lartë se në vitin 2009.