E-Diaspora

Filmi “Kolona” i Hysajt, “bindshëm më i miri” në Alpinale

"Filmi, me një epërsi bindëse ndaj të gjithë të tjerëve, ka arritur që, duke filluar nga sekonda e parë të krijojë një tension konstant“, thuhet në vlerësimin e jurisë

Në festivalin e 28 të filmit të shkurtë „Alpinale Kurzfilmfestival“ që u përmbyll të shtunën në Nenzing të Austrisë, çmimin kryesor „Goldener Einhorn“ në mesin e 824 filmave pjesëmarrës e ka fituar filmi nga Kosova me tituillin „Kolona“, i regjisorit Ujkan Hysaj.   

Motoja e festivalit të sivjetmë ka qenë „shkurt dhe mirë“, duke iu referuar kategorisë së filmit të shkurtë, të cilit i kushtohet festivali. Në mbrëmjen finale u ndanë tetë çmimet që i jep publiku dhe juria.

Në krye të jurisë prej pesë anëtarëve ishte regjisorja e teatrit Brigita Soraperra, ndërsa anëtarë ishin Stefan Pohl, aktor dhe regjisor, Thomas taborsky, kritik filmi dhe regjisorët Felix Kalaivanan e Joan Sanchez Arroyo.

Të gjithë anëtarët janë shprehur të entuziazmuar nga vlerat e filmit të shkurtër „Kolonat“, shkruan orf.at.

“Filmi, me një epërsi bindëse ndaj të gjithë të tjerëve, ka arritur që, duke filluar nga sekonda e parë të krijojë një tension konstant“, thuhet në vlerësimin e jurisë. Në këtë film tematizohet lufta e Kosovës gjegjësisht mprehtësinë e vendimeve të cilat duhet t`i merrnin individët në raport me konfliktin.